Amendimi I Rregullores, Konkretizim I Parimit Të Transparencës
- Shënim -
TIRANË, 5 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Kuvendi i Shqipërisë po shqyrton prej pak ditësh dy ndryshime në rregulloren parlamentare, që synojnë rritjen e transparencës në përzgjedhjen e dekreteve të Presidentit dhe dhënien e pëlqimit për emërimet në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë kësaj jave, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet në parlament ka diskutuar në dy seanca amendamentet e propozuara nga katër deputetë të PD-së, ndërsa pritet që të hënën të vijojë sërish shqyrtimi i tyre.
Ndryshimi i parë i rregullores konsiston në atë që dekretet e Presidentit të Republikës të votohen në formën e votimit të hapur, ndryshe nga deri më sot kur ato janë votuar me kuti ose me votim të fshehtë me elektronikë.
Votimi i hapur parashikohet në rastin e miratimit të përbërjes së Këshillit të Ministrave, që emërohen dhe shkarkohen pas këtij momenti dhe për projektligjin e buxhetit të shtetit.
"Nëse për rastin e ministrave bëhet votim i hapur, nuk ka arsye që për rastet e dekreteve të Presidentit për kandidatët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ndiqet formë tjetër votimi", thuhet në relacionin shoqërues të amendamenteve.
Votimi i hapur sjell dhe një efekt lidhur me transparencën e procesit dhe siguron që publiku të njohë shprehjen e vullnetit politik të Kuvendit në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke, sikundër një raport i tillë është vendosur për përbërjen e Këshillit të Ministrave.
Amendamenti i dytë parashikon ndryshimin e afateve kohore të shqyrtimit dhe votimit të dekreteve në Kuvend nga tri javë që është aktualisht, në tetë javë. Ndryshimi synon të reflektojë një mangësi praktike të evidentuar, ku koha në dispozicion të Komisionit të Ligjeve të jetë më e gjerë, për të mundësuar një seancë dëgjimore më të plotë dhe më cilësore me kandidatët në fjalë, para se dekretet të përcillen në Kuvend.
Shqyrtimi i këtyre ndryshimeve në dy mbledhjet e para të Këshillit të Rregullores është shoqëruar me debate nga deputetët e të dyja palëve, anëtarë të këtij Këshilli, të cilët mbrojnë pikëpamje të kundërta.
Viktor Gumi, një nga deputetët nismëtarë të këtyre ndryshimeve, thotë se amendamentet e propozuara sjellin një përmirësim të dukshëm në procedurat parlamentare, rrisin transparencën e vendimmarrjes së Kuvendit, llogaridhënien, si dhe nivelin e përfaqësimit që ky Kuvend ushtron në emër të popullit shqiptar.
Sipas Gumit, kjo është një procedurë e domosdoshme për t'iu përgjigjur zhvillimeve më të fundit të parlamentit shqiptar dhe që garanton transparencë të njëjtë me vendet europiane.
Ndërsa për përfaqësuesit e opozitës në Kuvend këto amendime kanë synim politik dhe dhunojnë rregulloren e Kuvendit, të miratuar me konsensus, 6 vjet më parë.
Damian Gjiknuri, përfaqësues i opozitës në Këshillin e Rregullores, amendimet i konsideron "me qëllim të mirëfilltë politik", pasi do të sillnin kontrollin e votës në Kuvend.
Aktualisht, në Kuvend Presidenti i Republikës ka përcjellë tre dekretet e emërimit të Sokol Çomos, Vexhi Muçmataj dhe Mehdi Bicit për detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Tre kandidaturat pritet të zhvillojnë një seancë dëgjimore në komisionin e Ligjeve, i cili më pas ia përcjell dekretet seancës plenare të Kuvendit.
/s.s./