Berisha: Shqipëria, Çdo Përpjekje Për Të Përmbushur Kërkesat E Nato-S
- Kryeministri Berisha përshëndet takimin e 27-të ndërkombëtar "Siguria globale, sfidat në rritje", në Berlin -
TIRANË, 5 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha siguroi nga Berlini se "Qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të përmbushur kërkesat e Aleancës së Atlantikut të Veriut".
Sipas zyrës së shtypit pranë Qeverisë, Kryeministri Berisha ishte dje folësi kryesor në panelin e darkës të takimit të 27-të ndërkombëtar mbi sigurinë globale, që u zhvillua në Berlin, Gjermani.
Në njoftimin për shtyp bëhet e ditur se Kryeministri Berisha foli para të pranishmëve mbi përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Ai tha se "Plani i Veprimit për Anëtarësim u kthye në udhërrëfyes të vërtetë dhe u bë një motiv madhor për qeverinë për të punuar më përkushtim të madh në të gjitha aspektet e reformave, në mënyrë që ta meritonte atë vendim".
"Shqipëria është duke u përpjekur për të përmbushur detyrën e saj në Afganistan dhe Gjeorgji. I premtova Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s se ne do të angazhohemi për trajnimin e forcave policore afgane, po sigurojmë 100 bursa për studentët afganë dhe do të ndërtojmë 8 shkolla atje", tha ai.
Kryeministri Berisha shprehu bindjen se "mënyra sesi NATO zgjeroi rolin e saj në misionet e lirisë, do të jetë një drejtim për të ardhmen e saj gjithmonë e më shumë globale". Ai vlerësoi solidaritetin dhe ndihmën e vendeve të Aleancës, si të një rëndësie jetësore për Shqipërinë, në shkëputjen e saj nga e kaluara e hidhur.
Njoftimi për shtyp i Qeverisë bën të ditur se Kryeministri foli edhe për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, ku tha se "qeveria bëri më të mirën për një proces të lirë dhe të ndershëm".
"Këto zgjedhje ishin unike në historinë e vendit tim. Ato u mbajtën me një teknologji të re, lista votuesish dixhitale, pasaporta biometrike dixhitale e karta identiteti. Unë pranova çdo propozim të opozitës, pasi detyra e qeverisë është t'i japë siguri të plotë opozitës", tha Kryeministri Berisha.
Në këtë drejtim, ai theksoi se qeveria duhet të bëjë çdo gjë që t'i japë sigurinë më të mirë opozitës.
"Ky është një detyrim moral dhe ne do ta bëjmë", tha ai.
Kryeministri Berisha njohu gjithashtu, të pranishmit me rrugën që ka bërë Shqipëria në realizimin e projektit tjetër madhor, integrimit në Bashkimin Europian. "Ne bëmë çdo gjë për të përmbushur çdo standard edhe për liberalizimin e vizave", tha Kryeministri.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Kryeministri u shpreh se "një kapitull i ri është hapur për kombet tona". Vendet e Ballkanit, theksoi Kryeministri, po përpiqen të punojnë së bashku për të ardhmen e tyre europiane. Ai nënvizoi se "Qeveria shqiptare ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë fqinjët".
Pavarësia e Kosovës, tha Kryeministri, ka sjellë një kontribut të madh për paqen dhe stabilitetin. "Pas pavarësisë, Kosova mbajti zgjedhjet lokale dhe lajmi më i madh nuk ishte për fituesit, por komunat e reja serbe krijuan dhe zgjodhën drejtuesit e tyre. Qeveria ime po punon me komunën e Gracanicës dhe ne jemi shumë të lumtur që po i asistojmë", tha ai.
Kryeministri Berisha përshëndeti vendimin e NATO-s për t'i ofruar Bosnje Hercegovinës Planin e Veprimit për Anëtarësim, duke e vlerësuar atë një vendim shumë dashamirës dhe të dobishëm.
Për këtë vit, ky takim trajtoi temën "Siguria globale, sfidat në rritje" dhe u organizua nga Qendra për Studime Strategjike dhe mbështetet nga Ministria gjermane e Mbrojtjes, nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes, universiteti i Tennesse, si dhe nga kompani të mëdha si Microsoft, CISCO, Lockheed Martin, etj. /m.m/s.s./