English

Bilanci Import-Eksport: Rriten Shkembimet Tregtare Me Boten

TIRANE, 5 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe vendeve të ndryshme të botës vijuan dukshëm dhe në 3-mujorin e parë të këtij viti, ku tendenca e rritjes së importeve të teknologjive, makinerive të reja dhe materialeve të ndërtimit, kryesisht nga Italia dhe Gjermania, flet për zhvillim të sipërmarrjeve industriale private në vend. Referuar shifrave mbi tregtinë e jashtme sipas të dhënave të INSTAT, me Italinë është kryer gjatë 3-mujorit një volum importi mallrash me vlerë mbi 27 miliard lekë, me një rritje mbi 2 miliard lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Në mallrat e importit nga ky vend dominojnë pajisje teknologjike, makineri e pajisje, artikuj industrialë dhe ushqimorë. Ndërsa në eksportet me Italinë, që shënuan vlerën e mbi 19 miliard lekëve, me një rritje prej 5 miliard lekësh, krahasuar me 3- mujorin 2009, ndikimin kryesor e ka dhënë zgjerimi i prodhimit për eksport të konfeksioneve dhe këpucëve nga firmat private prodhuese që punojnë me fason në Shqipëri. Ndryshe nga Italia, kriza ekonomike që ka përfshirë Greqinë, ka dhënë ndikimin e vet në shkëmbimet tregtare me vendin tonë. Në 3-mujorin e parë 2010, sipas INSTAT, vihet re se importet me Greqinë shënuan vlerën e mbi 15 miliard lekëve, me një rënie prej 1,5 miliard lekë, krahasuar me periudhën e fillimvitit 2009.Produktet që përbëjnë gamën kryesore të mallrave që importohen nga Greqia janë karburantet, materiale për industrinë e ndërtimit, por dhe artikuj ushqimorë, cigare etj. Ndërsa eksportet me Greqinë kanë qënë pothuaj në të njëjtin nivel sa një vit më parë, në vlerën e mbi 2 miliard lekëve, ku dominojnë eksporte të duhanit dhe të lëkurëve të pa përpunuara. Në 3-mujorin e parë 2010 janë zgjeruar importet nga Turqia, partneri i tretë tregtar, me një vlerë prej mbi 6 miliard lekë dhe me një rritje prej 1 miliard lekë, në krahasim me 2009-tën. Kryesisht importet e mallrave të ardhura nga Turqia janë veshje, artikuj industrialë, materiale ndërtimi, etj. Ndryshe nga importet, vihet re se eksportet me këtë shtet vazhdojnë në nivele modeste, pavarësisht hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë. Megjithatë, eksportet kapën gjatë 3-mujorit 2010 një shifër prej 0.3 miliard lekë, që flet për një rritje të lehtë në krahasim me të njëjtë periudhë të 2009-tës. Kina shënon ekspansion importesh të mallrave gjatë 3 muajve të parë 2010, të cilat me vlerën e arritur prej mbi 6 miliard lekë, renditet si partner i katërt tregtar. Importet nga Kina janë kryesisht artikuj industrialë dhe pajisje elektrike, që janë favorizuar duket nga rritja e një numri sipërmarrjesh të vogla të tregtarëve kinezë jo vetëm në Tiranë, por dhe në disa qytete të tjera të mëdha të vendit. Gjermania ka shënuar një rritje të dukshme të importeve në 3-mujorin e parë të 2010-tës, duke arritur në vlerën e mbi 5 miliard lekëve, nga rreth 4 miliard lekë mallra të importuar në të njëjtën periudhë të vitit 2009. E veçanta e mallrave të importit nga Gjermania janë makineritë e pajisjet teknolgjike për industritë e reja, që po kërkojnë të zgjerohen në vend si dhe ripërtëritja me teknologji e sipërmarrjeve prodhuese ekzistuese./n.m/
KOMENTE