English

Cilësia E Ajrit-Tirana, Qyteti Më I Ndotur Në Vend

TIRANË, 5 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Tirana, kryeqyteti shqiptar, vazhdon të jetë qyteti më i ndotur në vend sa i përket vlerave të cilësisë së komponentëve të ajrit, çka përbën problem shqetësues për shëndetin e qytetarëve. Matjet më të fundit të kryera gjatë një jave nga specialistë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se ndotja është 30 % më e lartë se normat e lejuara nga Bashkimi Europian. Sipas specialistit të OBSH-së, Dr. Michail Krzyzanovski, "nëse do të shihen rezultatet e deritanishme, mund të themi se nivelet e treguara, kapërcejnë së tepërmi normat e lejuara të BE dhe udhëzimet e OBSH-së. Matjet tregojnë një ndotje 20-30 % më të lartë, ndërsa ndotësi më problematik në Tiranë janë grimcat e imta me prejardhje të ndryshme". Ndërkohë, sa u takon monitorimit më të fundit në rang vendi, të realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik, rezulton se "Tirana me ndotjen nga LNP (lëndët e ngurta pezull, ose grimca totale) rezulton me një mesatare 323 µg/m3, ndërkohë që normat e Bashkimi Europian janë 80 µg/m3 dhe ato shqiptare 140 µg/m3". Specialistët e shëndetit publik thanë për ATSH-në se ndotja nga PM 10 (grimcat e respirueshme) shënojnë vlerën 148 µg/m3, ndërsa normat e lejuara nga BE- janë 50 µg/m3 dhe ato shqiptare 70 µg/m3". Tirana është i vetmi qytet që i ka kaluar normat e BE-së edhe sa i takon ndotjes nga dioksidi i azotit, NO2. Të dhënat nga monitorimi tregojnë se vlerat mesatare e NO2 në Tiranë ka arritur në 52 µg/m3, nga 40 µg/m3 që janë normat e BE-së. E njëjta problematikë vërehet edhe për përmbajtjen e benzenit C6H6 në ajër, që është një ndotës me veti të njohura kancerogjene. Dy aparatura të monitorimit të ajrit u vendosën rreth një javë më parë pranë ISHP dhe tjetra pranë Poliklinikës Qendrore në Tiranë, të cilat do ndihmojnë për të identifikuar nivelet e ndotjes së ajrit në Tiranë. Përmes këtyre stacioneve për herë të parë do të mundësohet monitorimi i grimcave të imëta e super të imta PM 2.5 e PM 1, mjaft të rëndësishme në pikëpamje shëndetësore për popullatën, si edhe i oksideve të azotit NOx, monoksidit të azotit NO, benzenit C6H6, toluenit C6H5CH3 dhe ksilenit C6H4(CH3) 2. - Monitorimi në rang vendi - Rezultatet e monitorimit të cilësisë së ajrit për vitin 2009 në gjashtë qytete Shkodër, Durrës, Tiranë, Fier, Korçë dhe Vlorë konfirmojnë se nivelet e ndotjes së ajrit janë të lartë, veçanërisht lidhur me grimcat e ngurta. Të dhënat nga monitorimi tregojnë se përmbajtja e grimcave totale (LNP) dhe atyre të respirueshme (PM 10) në atmosferat urbane të qyteteve të monitoruar prej Institutit të Shëndetit Publik vazhdon të jetë ende në vlera mbi normat e lejuara të BE-së. Ndërkohë, bazuar në të dhënat, rezulton se nuk vihet re ndryshim statistikor i përmbajtjes së këtyre vlerave brenda 5 viteve të fundit. Kështu, në vitin 2005, vlera mesatare në rang vendi e PM10 shënonte vlerën 100, në 2006, 105, në vitin 2007, 107, ndërsa në vitin 2008 arriti në vlerën 114, dhe në 2009, 112. Krahasuar me normat e lejuara të vendeve të BE, përgjithësisht ato janë 2-3 herë më të larta. Nga ana tjetër, përmbajtja e NO2 (dioksidit të azotit) në ajrin urban të qyteteve të monitoruara jo vetem nuk ka zbritje, por rritet në mënyrë të vazhdueshme si rezultat i shtimit të trafikut automobilistik dhe mosrealizimit të masave efikase për kontrollin e gazeve të tij. "Përmbajtja e dioksidit të azotit NO2 po rritet gradualisht, gjë që shpreh ndikimin vendimtar të shkarkimeve të automjeteve në rritjen e përmbajtjes së tij në ajër", theksojnë specialistët, sipas të cilëve, "me këto ritme rritje brenda pak vitesh edhe ky gaz toksik do të kapërcejë normat e BE në ajrin urban të qyteteve kryesore te ne". Përbërësit e tjerë të ajrit të monitoruar gjatë vitit 2009 janë përgjithësisht brenda normave të lejuara respektive. - Shkaktarët e ndotjes së ajrit - Specialistët pohojnë se "tërheq vëmendjen fakti se përmbajtja në ajrin urban e grimcave (totale LNP e të respirueshme PM 10), si edhe e gazeve të krijuar kryesisht prej trafikut (NO2) nuk po njohin asnjë ulje". Ky fenomen, sipas tyre, është indikator i mos efikasitetit të masave të deritanishme për luftimin e ndotjes së ajrit. Nisur nga kjo situatë, specialistët pohojnë se "duhen ndërmarrë veprime reale teknike e administrative për përmirësimin e gjendjes". Tre shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit, sipas specialistëve të mjedisit, janë automjetet e vjetëruara, trafiku i makinave, ndërkohë që faktor tjetër i ndotjes janë edhe ndërtimet, të cilat nuk zbatojnë kriteret për të evituar ndotjen, apo djegia e mbeturinave vend e pa vend. Sa i takon ndikimit në shëndet, ndotja e ajrit pakëson jetëgjatësinë e banorëve, në avancimin dhe keqësimin e sëmundjeve kardiovaskulare e respiratore, si dhe gravizon frekuencën e ashpërsinë e simptomave azmatike e të sëmundjeve akute respiratore të fëmijëve. Specialistët e shëndetësisë paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë në kryeqytet do të jetë 1- 2 vjet për çdo banor./s.s./
KOMENTE