Durrës: Mot I Paqëndrueshëm Në Fundjavën E Parë Të Qershoritt
DURRËS, 5 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Moti i paqëndrueshëm me alternime vranësirash dhe me erë të lehtë do të mbizotërojë këtë fundjavë në rajonin detar të Durrësit, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit.
Tragetet e linjës Bari - Durrës kanë mbërritur rreth orës 08.00 të mëngjesit dhe trafiku i anijeve tregtare nuk do të paraqesë probleme me gjithë detin e trazuar me forcë 3-4 jashtë gjiut detar, shtuan burimet e mësipërme. Përpunimi i anijeve me mallra dhe kontejnerë do të vijojë pa probleme gjatë gjithë ditës, ndërsa motopeshkatoret që janë nisur për gjueti do të lundrojnë kryesisht pranë brigjeve në zonën nga grykëderdhja e lumit Seman deri në atë të Bunës në veri.
Burimet bënë të ditur se megjithëse stina e pranverës është drejt fundit temperaturat e ajrit dhe era që fryn kryesisht nga veriu nuk kanë mundësuar banjat e diellit dhe të ujit për qindra pushues, të cilët mbërrijnë në plazhe që në ditët e para të muajit qershor./s.s./