Edhe Një Herë Për 'Gabimin E Rëndë Urbanistik' Të Maks Velos
TIRANË, 5 Qershor/ATSH/.- Piktori dhe arkitekti i njohur Maks Velo i quan ndërtimet e pas viteve '90-të, "një shpërfytyrim urban të Shqiperisë". Pak ditë pas një incidenti të rëndë, kur ai u godit fizikisht nga një biznesmen vetëm se kishte thënë hapur mendimin që di të thotë një njeri që bën profesionin e tij, Maks Velo, rijep alarmin për një prishje të indit urban në Tiranë.
Velo, i cili kaloi një pjesë të jetës së tij në burg gjatë sistemit komunist, mbasi iu dogjën rreth 250 punime, me pasionin e tij ritregon për ATSH-në odisenë e vetëm të një prej shumë historive që kanë betonizuar Tiranën.
"Eshtë një histori e gjatë, që vazhdon prej gati 15 vitesh, e cila ka si emërues të përbashkët rikthimin e një territori publik në Tiranë, si kompesim prone. Dhe kjo është lulishtja pranë "Kolonave", përballë stadiumit "Qemal Stafa" dhe pranë Hotel "Sheraton", thotë ai.
"Është shumë e rëndë", vijon ai, duke e konsideruar incidentin që i ka ndodhur "një goditje jo vetëm kundër tij, por dhe kundër të gjithë atyre që e duan Tiranën".
"Godina që po ndërtohet aty nuk mund të qëndrojë se nuk ka kuptim, ajo prish dhe shkatërron çdo gjë nga ana arkitekturore mes Hotel Sheraton , stadiumit "Qemal Stafa" dhe Bibliotekës së Universitetit", thotë arkitekti i njohur, një nga figurat më polemizuese dhe për ndërtimin para disa vitesh të dy kullave binjake, në bulevardin kryesor të Tiranës.
"Personi që e ka marrë këtë tokë si kompensim, e ka shitur me një shumë marramëndëse prej 400 milionë lekësh. Në maketin francez ajo tokë ishte lulishte. Pasi e blenë, pronarët kërkuan leje ndërtimi, dhe këtu është faji kur Bashkia i dha lejen. Pasi e anuloi filloi procesi gjyqësor. Në tri shkallët fitoi Bashkia, ndërsa në Gjykatën Kushtetuese fitoi ndërtuesi. Në vend që kjo gjykatë të shihte se kishte një shkelje kushtetuese të rëndë, ajo aprovoi ndërtimin dhe filloi puna", tregon Velo historinë, e cila një pasditë teksa kthehej nga kodrat e liqenit e ka goditur edhe fizikisht.
Por ajo që e shqetëson më shumë atë është fakti se pavarësisht se si do të përfundojë kjo odise, ai që paguan më shumë është taksapaguesi shqiptar.
Jo pa keqardhje, por edhe me pasionin që e ka të tijin, Velo i rikthehet një shkrimi që kjo ndërtesë e ka detyruar të shkruajë më 11 mars në një të përditshme ku ai e konsideron këtë ndërtin "një gabim të rëndë urbanistik", shkrim nga i cili sipas tij , u ndërprenë mëpas edhe punimet e ndërtesës.
Në fakt ai e ka parë të udhës të mos bëjë asnjë denoncim për incidentin që i ka ndodhur. Por ka qënë ministri i Brëndshëm, Lulzim Basha, që, siç thotë Velo, sapo është njoftuar për ngjarjen e rëndë e ka marrë personalisht në telefon për të vënë më pas në lëvizje më pas forcat e rendit për kapjen e goditësit të arkitektit të njohur.
Velo nuk harron të flasë dhe për Shoqatën 'Tirana', e cila sipas tij, "ka detyrë të mbrojë territoret publike të Tiranës". "Ajo ka dalë në protestë për sheshin Skëndërbe , dhe nuk del për pushtimin e territorit, kur ky është një fenomen negativ", thotë ai .
Velo, i cili prej vitesh bën pjesë në Rrjetin Informatik Ndërkombëtar të Kompjuterizuar në listën e piktorëve më të njohur të të gjitha kohërave, duke shprehur shqetësimin e tij për krijimin e një strukture tjetër urbane, thotë se jo në pak raste nga ndërtimet pa kriter është zënë toka e bukës.
"Përpos dëmit që i bëhet tokës bujqësore, ndërtimet në këtë tokë janë të paqëndrueshme", thotë ai, duke pohuar me keqardhje se edhe ne fshat ka ndryshuar struktura urbane. "Nuk e njeh strukturën e një fshati më, bile edhe fshatarëve ju vjen zor tani ta quajnë veten fshatarë", pohon ai.
Maks Velo njihet në Shqipëri si një individualitet polemizues për probleme që kanë prekur vendin, sidomos vitet e fundit, ashtu sikundër njihet për pikturën e tij të veçantë, e bazuar në shenjat e një konfiguracioni primitivo-abstrakt ballkanik.
Ai gjithnjë ka spikatur për një prodhimtari artistike gjatë viteve të fundit, gjë e cila vitet e fundit është kurorëzuar me hapjen e mbi 40 ekspozitave në Shqipëri, Francë, Poloni, Amerikë, etj.
Deri tani fondi i pikturave të tij arrin në mbi 3000 vepra, të cilat janë të teknikave të ndryshme dhe sidomos në teknikën që ai preferon më shumë, lavi.
Por Maks Velo ështe autor edhe i shumë librave, disa librave me konfiguracione dhe disa librave me tregime dhe poezi. /f.n/