Elbasan: Burg Për Vjedhësit E Veprave Të Artit, Në Pritje Të Ekspertizës
ELBASAN, 5 Qershor /ATSH-M. Sadiku/- Pesë të dyshuar për vjedhje të veprave të artit do të qëndrojnë 10 ditë në burg, sipas vendimit të marrë nga gjykata të shtunën.
Prokurori i çështjes, Ridvan Suka, kërkoi për pesë të akuzuarit masën e arrestit "burg pa afat", por gjykata vendosi për dhjetë ditë burg, në pritje të mendimit të specialistëve, që do të përcaktojë nëse veprat e vjedhura janë ose jo vepra arti.
Dy ditë më parë policia arrestoi shtetasit Ilir Kera, 37 vjeç, Reshit Hyseni, 29 vjeç, Nebi Guracaku, 49 vjeç, Gramoz Poshja, 34 vjeç, si edhe Armand Meta, 26 vjeç, të dyshuar për veprën penale "trafikim të veprave të artit dhe të kulturës" e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.
Policia ka sekuestruar një këmbanë kishe me peshë rreth 50 kg, e gdhendur, prej bronxi, tre piktura të gdhendura në bakër me përmasa të ndryshme, një ikonë kishe, si edhe sende dhe objekte antike të ndryshme të gdhendura në material sermi të cilat janë vepra arti e kulture që i përkasin pasurisë kombëtare.
Këto vepra arti që iu sekuestruan pesë të arrestuarve janë dërguar në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve për përcaktuar nëse ndodheshin në arkivën e kësaj ministrie, apo janë fals./ch/