Elbasan: Ne Gjinar, Festime Ne Diten Olimpike "Miqte E Malit" Me Sport, Kulturë Dhe Prodhime Artizanale
ELBASAN 5 Qershor/ATSH, Miranda Sadiku/- Për të dhjetin vit radhazi, Gjinari malor dhe turistik u bë sot vendi organizator i Ditës Olimpike " Miqtë e Malit", ku qindra të rinj udhëtuan drejt zonës së Shpatit për të marrë pjesë në larmi veprimtarish sportive-kulturore.
Dita Olimpike "Miqtë e Malit" që u organizua nën kujdesin e Komitetit Olimpik Shqiptar dhe Këshillit të Qarkut të Elbasanit, mblodhi miqtë në Fushë - Kuqe në Gjinar, ku ndodheshin nënkryetari i Kuvendit, Adrian Turku, deputetja socialiste Valentina Leskaj, përfaqësues të pushtetit lokal, etj.
Në ceremoninë e hapjes, kreu i komunës, Gani Hida, tha se "këtë vit miqtë e malit e kanë pasur më të lehtë të vijnë në Gjinar, pasi rruga është drejt përfundimit, ndërsa ky 10- vjetor e gjen komunën me ndryshime të mëdha".
Nënkryetari i Kuvendit, Ardian Turku shtoi se qeveria bëri të mundur që kjo pikë turistike të vizitohet lehtësisht në çdo stinë të vitit. "Kjo festë është promovimi më i mirë që i bëhet një zone turistike të Gjinarit, zonë që e ruan traditën, kultivon vlerat e pazëvëndësueshme në kulturë, art, muzikë, kostumet e zonës së Shpatit, veshjet popullore, etj", tha ai.
Aktivitetet vijuan me veprimtari sportive, kulturore, e artistike nga nzënësit e shkollave të zonës së Shpatit, Elbasanit dhe banorët e kësaj treve.
Aktiviteti Dita e Olimpikut " Miqtë e Malit 2010" synon promovimin e rëndësisë së aktiviteteve sportive dhe social - kulturore, në mënyrë që të rinjve t'u prezantohen mënyra të tjera argëtimi, e bashkë me të, edhe një edukim më i shëndoshë.
Sivjet aktiviteteve të përvitshme, j'u shtua dhe Festivali folklorik me këngë dhe lojëra të traditës nga të rinjtë e zonës së Shpatit. Jo pak mbresa la dhe panairi i prodhimeve tradicionale, ku banorët promovuan prodhimet e tyre artizanale, veshje, punime druri dhe prodhime bujqësore e blegtorale. Kjo krahinë njihet në tërë qarkun e më gjerë për vlerat e vyera për kostumet popullore, punimet artizanale, etj.
Treva e Shpatit shtrihet në juglindje të Elbasanit dhe ka në përbërje 7 komuna, ndërsa si qendër njihet Komuna Gjinar, rreth 22 kilometra larg qytetit. Kjo zonë njihet për folklorin e pasur me vlera të rëndësishme, ndërsa kënga dhe vallja e Shpatit dallon për pasurinë dhe shumëllojshmërinë e formave muzikore./ch/