Farina: Shqipëria Duhet Ndihmuar Në Rrugën Drejt Be-Së
- Deputeti i "Forca Italia", Renato Farina, vlerëson ndryshimet në Shqipëri -
TIRANË, 5 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Deputeti i "Forca Italia", dhe anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Renato Farina, tha dje, në një intervistë për një të përditshme shqiptare, se "Shqipëria duhet ndihmuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi në këtë mënyrë do të kishte edhe një paqësim më të lehtë në gjithë rajonin e Ballkanit".
Deputeti Farina, i cili ka qenë vëzhgues në zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, vlerësoi se "ato ishin zgjedhjet më të mira edhe se në disa vende të BE-së".
"Unë kam qenë vëzhgues i zgjedhjeve vitin e kaluar si në Shqipëri, ashtu edhe në Bullgari, Mal të Zi, Ukrainë e Moldavi. Niveli standard elektoral ishte pozitiv në të gjitha këto shtete, por i Shqipërisë ishte i shkëlqyer, përveç problemit të votimit familjar, i cili pranohej nga të gjitha partitë", tha ai.
Për sa i përket ngërçit politik në Shqipëri, Farina i vlerëson si shumë pozitive hapat që janë bërë edhe nga Këshilli Evropian për të zgjidhur këtë problem në Parlament.
"Mendojmë se qeveria 'Berisha' është një qeveri totalisht legjitime për të qeverisur dhe ftojmë opozitën të hyjë në Parlament, pasi sipas eksperiencës që kemi, refuzimi i debatit parlamentar krijon vetëm tensione sociale dhe deligjitimon organizmat demokratike", tha Farina, ndërsa u shpreh optimist se "mund të gjendet një zgjidhje".
Në vizitën e tij të tretë në Shqipëri, Farina vëren se "Shqipëria është një vend që po zhvillohet me shpejtësi".
"Tashmë ka më pak kriminalitet dhe më pak krim rruge në krahasim me vendet e tjera evropiane edhe me qytetet e mëdha italiane. Ditët e fundit janë publikuar shumë artikuj në gazetat italiane, veçanërisht në gazetën "La Stampa", ku thuhej se Shqipëria është një vend që po rritet shumë shpejt", tha ai.
Sipas deputetit të "Forca Italia", nuk mund të mohohet se ekziston edhe fama e korrupsionit sidomos në sektorin urbanistik. Megjithatë, Farina theksoi faktin se është reduktuar ndjeshëm burokracia përsa i përket hapjes së një biznesi, dhe kjo tregon që Shqipëria ka ecur përpara edhe në krahasim me Italinë në këtë sektor.
Imazhi i Shqipërisë në Itali është përmirësuar jashtëzakonisht, tha Farina, ndërsa vuri në dukje se "fakti që nuk ka më skafe që vijnë nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas, është provë e një serioziteti të madh, si nga ana e qeverisë ashtu edhe nga ana e popullit shqiptar".
Deputeti Farina mori pjesë dje në konferencën përkujtimore "Nënë Tereza në 100-vjetorin e lindjes", që u zhvillua në Tiranë.
/s.s/