Flotilja - Guardian: Sipas Autopsisë Aktivistët Janë Goditur Në Kokë
ROMË, 5 qershor /ATSH-ANSA/ - Nëntë aktivistët turq në bordin e Mavi Marmara, anija që u sulmua nga marina izraelite gjatë një operacioni të përgjakshëm ushtarak, janë goditur 30 herë me armë zjarri dhe pesë prej tyre kanë humbur jetën për shkak të plagëve të marra në kokë, shkruan sot e përditshmja britanike Guardian, duke cituar zëvendëspresidentin e institutit mjekësor ligjor të Stambollit, Yalcin Buyuk.
"Shumë prej aktivistëve janë goditur me armë zjarri nga distanca të afërta", shkruan më tej e përditshmja britanike.
Rezultatet e autopsisë dëshmojnë se aktivisti Ibrahim Bilgen, 60 vjeç, është goditur katër herë në tëmth, gjoks, anës trupit dhe shpinë. Fulkan Dogan, i cili kishte edhe shtetësinë amerikane, është goditur pesë herë, në një distancë më të vogël se 45 centimetra, në fytyrë, prapa kokës, dy herë në një këmbë dhe një herë në shpinë.
Dy burra të tjerë janë goditur nga katër herë. Pesë nga aktivistët e tjerë janë goditur në shpinë dhe prapa kokës, shkruan Guardian.
/e.v/