English

Flotilja - "Rachel Corrie" - Izraeli Konfirmon, Ndaloni Ose Do Ndërhyjmë

TEL AVIV, 5 qershor /ATSH-ANSA/ - Forcat izraelite "nuk do të kenë zgjedhje tjetër veç asaj për të hipur në bordin e anijes", nëse Rachel Corrie, anija irlandeze me aktivistë pro-palestineze, do të vazhdojë të lundrojë drejt Rripit të Gazës, deklaroi sot për ANSA kapiteni Aryi Chalicar, i zyrës së shtypit të forcave të armatosura izraelite. "U bën katër orë që po përpiqemi të kontaktojmë me ekuipazhin për t'i kërkuar që të ndryshojnë drejtim drejt Ashdodit (në jug të Izraelit) për të mos shkelur bllokadën, por deri tani nuk ka pasur bashkëpunim", deklaroi zyrtari. "Nëse nuk do të kemi zgjedhje tjetër, do të hipin në anije për ta ndaluar, sepse kjo është detyra jonë", shtoi ai. "Izraeli nuk ka asnjë problem për ta shoqëruar anijen Rachel Corrie të ankorohet në Ashdod dhe më pas ta ndihmojë ekuipazhin për të transferuar ndihmat në Gaza me anë të tokës, kështu mund të kontrollojmë edhe ngarkesën për armatime", deklaroi zyrtari. Izraeli ka vendosur kufizime të ashpra rreth Rripit të Gazës që prej ardhjes në pushtet të Hamasit në vitin 2007. Megjithatë aktivistët e konsiderojnë të paligjshme bllokadën, heqja e të cilës është kërkuar me këmbëngulje edhe nga aktorë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht pas operacionit të përgjakshëm të së hënës që u zhvillua nga forcat speciale izraelite kundër një flotilje të drejtuar nga anija turke Mavi Marmara që kërkonte të dërgonte vetëm ndihma humanitare në Gaza. /e.v/
KOMENTE