English

Gjirokastër: Komunikimet Kulturore Ndërshqiptare Prezantohen Në Një Debat

GJIROKASTËR, 5 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - "Kultura në komunikimet ndërshqiptare dhe prezantimi i saj në botë", ishte tema, rreth së cilës u debatua sot në Kalanë e Gjirokastrës nga studiues e kulturës mbarëkombëtare, në kuadër të edicionit të katër të festivalit ndërkombëtar "Takimet muzikore të dy botëve", organizuar nga shoqata "Argjiro". Shkëlzen Maliqi, studjues nga Kosova, pohon se komunikimet kulturore mbarëshqiptare janë menduar si inicimi i një debati intelektual. Sipas tij, shteti i ri i Kosovës, ekzistenca e shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni e diasporë, krijon një lloj diversiteti. "Ka shumë gjëra në krizë dhe duhet të reflektojmë. Megjithatë, me përgjegjësinë e çdo intelektuali krijues, secili prej nesh bën pjesë në këtë debat dhe mendojmë se më vonë duhet të zhvendoset në Kosovë", tha Maliqi. Maliqi tha se "Për shkak se shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe kanë edhe një diasaporë të madhe dhe shumë të shpërndarë, kultura shqiptare është një entitet kompleks, i cili është i varur nga komunikimet dhe mobiliteti." "Ne vlerësojmë se çështja e komunikimeve të ndërsjella të sistemeve të veçanta të kulturës dhe të kontakteve të saj në tërësi me botën, nuk është reflektuar sa duhet, dhe sidomos jo si tërësi", shtoi Maliqi. Jeton Neziraj, dramaturg dhe drejtor artistik në Teatrin e Kosovës mendon se në shtetin e sapokrijuar, financimet janë gjithmonë të mangëta, vullneti politik ekziston, por nuk shkon kurrë përtej asaj që quhet "vullnet marketingu politik". "Ka pasur tentativa që këto komunikime të formalizohen, po asnjëherë nuk janë plotësuar, apo të hidhen hapa të tjerë, në mënyrë që të realizohen, apo të krijohen projekte dhe memorandume", pohon Neziraj. Ndërsa Bashkim Shehu, etnomuzikolog nga Kroacia mendon se artistët, aktivistët në kulturë, institucionet që shërbejnë me frutet e krijuesve, duhen që të punojnë në një projekt të përbashkët, pasi nëse paralizohet bashkëpunimi, nuk kanë mundësi të veprojnë. "Komunikimi muzikor është sipërfaqësor. Mendoj që një sistem i organizuar duhet të niset prej institucioneve kyçe. Nuk ka një projekt të madh ndërmjet Diasporës, Kosovës dhe Shqipërisë që t'i prekë të gjitha fushat", thotë Shehu. Publicisti Veton Surroi nga Kosova, publicist, thotë se në Shqipëri nuk ekziston një vizion bazik për komunikimin e kulturës mbarë shqiptare. "Ky komunikim bëhet në momentin kur janë hapur tashmë kufinjtë, por përsëri gjendet në një përpjestim kulturor", tha Surroi, që nënvizoi se ndërsa Shqipëria po del drejt Europës, kultura në Kosovë ende nuk di se ku po shkon. Mehmet Beluli, piktor nga Kosova, mendon që kultura çalon tek akademitë, pasi ato nuk janë të gatshme që të përgatisin artistët e ardhshëm në aspektin më global. "Këto institucione kanë qenë shumë lokalë, publiku është gjetur me shumë vështirësi, pra, ka qenë një ambient shumë i mbyllur, i cili ka vendosur edhe pengesa", thotë Beluli. Ndërsa kujton se për herë të parë në Shqipëri kishte ardhur në 1998 dhe komunikimi në atë kohë ka qenë shumë i zorshëm, sepse kanë ekzistuar disa barriera, Beluli shton se "ne kemi telashe të mëdha për funksionimin e një bashkëekzistence". Ilda Mara, kryetare e shoqatës "Argjiro", njëherazi drejtoreshë e festivalit "Takimet muzikore të dy botëve", mendon se njerëzit e fushës së letrave, të artit, të muzikës, të skenës dhe komponenteve të tjerë, kanë mbështetje financiare të pamjaftueshme nga institucionet e kulturës. "Në kushtet e një tregu kulturor të pasigurtë dhe realivisht të vogël, nisur nga vështirësitë finaciare, artistët detyrohen shpesh të emigrojnë, apo të ndërrojnë profesion dhe për rrjedhojë, kjo gjë sjell tkurrje të prodhimit kulturor", tha Mara. Ajo nënvizon se "mungesa e programeve dhe financave janë duke ndikuar në dobësimin e identitetit kulturor shqiptar"./ch/
KOMENTE