Athinë, 5 Qershor, NOA – Në Greqi, ku kriza thellohet përditë, duket se një pjesë të emigrantëve nuk e mban më vendi. Ose marrin rrugën e kthimit për në atdhe, ose largohen për në vende të tjera.
Aktoren Lavdie Bisha, që e shohim herë pas here në serialin televiziv grek “Pallati” në rolin e emigrantes, e takuam papritur tek ngjitej me nxitim në rrugën “Agjiu Konstandinu”, që nxjerr në sheshin Omonia.
“Sapo kthehem nga agjensia, ku i postova motrës sime në Korçë disa euro. Duke ditur se aty gjendja ekonomike është e vështirë, mundohemi të ndihmojmë sadopak njëri-tjetrin”, thotë Lavdie.
Rasti i familjes së saj përbën edhe argumentimin më spontan të reportazhit, që thotë se një pjesë i emigrantëve shqiptarë filluan për shkak të krizës të kthehen në Shqipëri. Dy djemtë e saj janë kthyer me gjithë familje.
“Njëri është Fotjoni, punon manaxher në një lokal të madh atje, gruaja përkthyese në parlament. Hyjnori dhe Eva u kthyen tani”.
U kthyen nga nevoja dhe pa katandinë e kurbetliut djemtë e Lavdies, ashtu siç ndodh tani me një pjesë të madhe për shkak të krizës.
“Pjesa që ka dalë nga tregu i punës, nga sektori i ndërtimit, nga sektori i shërbimeve, apo në sektorë të tjerë nuk është tendencë, por një fakt i përditshëm, që njerëzit po ikin. Greqia po rrallohet. Në këtë kuptim, në qoftë se kjo punë do të vazhdojë gjatë e gjithë puna dhe mundi i emigrantëve do të shkojnë kot”, ishin fjalët pak më parë në sheshin Omonia të Astrit Korpës nga Skrapari, që në moshë të kaluar dhe me punë me hope, siç na tha, mendon edhe vetë kthimin.
“Kthehen me gjithë familjet se s'kanë punë. Detyrohen me pagu qiratë, dritat, ujin. Nuk kanë pare më i përballu” thotë Ana Preka, punonjëse në agjensinë e udhëtarëve “Albania Interlines”, që nuk ka ditë pa përcjellë familje të tëra. “
Dhjetë familje në ditë. Ikin nga nevoja, nuk ikin nga dëshira”, - thotë edhe pronari grek i agjensisë Anastasios Petropullos, një burrë që i ka kaluar të shtatëdhjetat dhe prezencën e imigrantëve e konsideron “të këndshme dhe produktive”.
Sa do t'i mungojnë vendit emigrantët e larguar?
“Jashtë mase, atyre që e dinë se çfarë kanë ofruar do t'u mungojnë shumë”. Këtë mendim nuk e ka vetëm zoti Petropullos, që gjithkush mund të thotë se ka arsyen e tij, pasi humb një pjesë të klientelës, mbi të cilën ngriti biznesin e tij, por akoma edhe tregtarë si Jorgos Klloxias, që nuk janë prekur pak nga tregtarët ambulantë të jashtëligjshëm afro-aziatikë. “Vërtet emigrantët po largohen. Është për të ardhur keq. Nga pallati ynë kanë ikur dy familjet, që kishim në katin përdhes” thotë Jorgos Klloxias në kinkalerinë e tij të famshme më se 100-vjeçare në rrugën Harillau Trikupi.
“Kur ikin emigrantët, kjo do të thotë se puna ka vajtur tek s'mban më”, thotë tregtari grek, duke sqaruar se emigrantët e larguar nuk janë tepricë e sektorit të rënduar publik, që e ka zënë ekonominë si lak prej fyti, por fuqi punëtore, që do të mungojnë nga kantierët e ndërtimit, nga fushat e vendit, nga turnet e natës, aty ku bëhet ekonomi e vërtetë.
“Vetëm nga ishulli Zaqinthos në zonën përreth fshatit tim kanë ikur të paktën 15 familje shqiptare”, thotë kolegia Magda Klavdianu, kurse kolegu tjetër Kristos Mihailidhis tregon se si në aeroportin e Kanadasë e pyetën “shqiptar je?” pasi, siç i sqaruan, “mbërrijnë se fundi shumë shqiptarë me pasaporta greke”.
Raste sporadike dhe jo për tendencë largimi?!
Ikin apo jo emigrantët? “Nuk disponojmë të dhëna formale, se ata që largohen nuk janë të detyruar të deklarojnë largimin e tyre”, i thotë Deutsche Welles sekretari special në ministrinë e Brendshme për imigracionin, Andreas Taqis, i cili ndërkohë preferon të flasë për raste sporadike dhe jo për tendencë largimi nga vendi. “Edhe unë kam dëgjuar që thonë ikin imigrantët, ikin imigrantët. Dhe sikur të ekzistojë një tendencë e tillë, nuk ka marrë një trajtë të qartë të mjaftueshme, që të konsiderohet si e tillë” thotë Taqis, i cili të vetmen gjë të sigurtë konsideron “panikun që ka kapluar njerëzit, vendasit por edhe imigrantët, për pasojat e krizës.
“Sigurisht që problemi i gjetjes së punës është i madh për atë, që e ka humbur, qoftë grek apo imigrant, por kjo nuk do të thotë se në këtë fazë konstatohet tendencë largimi nga vendi”, thotë Taqis.
Dhe ata që thonë se imigrantët largohen, bile me nëntekstin se i hoqem qafe? “Besoj se kjo në vetvete tregon edhe burimin e një informacioni të tillë...” thotë me nëntekst Andreas Taqis, i cili indirekt u drejton apel imigrantëve të mos largohen, pasi zgjidhja nuk është te “nismat individuale por largim për te kohezioni social dhe përpjekja kolegjale për dalje nga kriza”.
DVelle