Prishtinë, 5 qershor, NOA – “Ka ngritje aktakuzash, por rezultatet gjyqësore mungojnë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Hasan Preteni, shef i Agjencisë Anti-Korrupsion dhe shtoi se legjislacioni ekziston, por për luftimin e korrupsionit nevojitet përkushtim më i fortë i të gjitha institucioneve.
“Një bazë ligjore, e cila në ekzekutiv e ngarkon agjencinë, ka përfunduar, por duhet të nxirren nga Kuvendi edhe disa ligje tjera, e më pastaj mekanizmat ekzistues duhet ende të fuqizohen. Është lajm shumë i mirë që ka filluar edhe reformimi te gjyqësori, sepse me të vërtetë është një institucion shumë i atakuar dhe ne e kemi potencuar vazhdimisht që është një problem, i cili duhet të zgjidhet”.
Zoti Preteni, lufta kundër korrupsionit është shndërruar në një nga çështjet më të diskutueshme në Kosovë. Si udhëheqës i institucionit që për synim ka pikërisht këtë luftë, cilat janë vështirësitë që ju përballeni? Në top-axhendën e të gjitha institucioneve të Kosovës duhet të jetë lufta kundër korrupsionit. Them se një gjë e tillë tashmë ka filluar të ndodhë, janë disa elemente pozitive, të cilat ashtu i vlerësoj unë. Mendoj që është i domosdoshëm një përkushtim më i fuqishëm i të gjithë mekanizmave. Një bazë ligjore, e cila në ekzekutiv e ngarkon agjencinë, ka përfunduar, por duhet të nxirren nga Kuvendi edhe disa ligje tjera, e më pastaj mekanizmat ekzistues duhet ende të fuqizohen. Është lajm shumë i mirë që ka filluar edhe reformimi te gjyqësori, sepse me të vërtetë është një institucion shumë i atakuar dhe ne e kemi potencuar vazhdimisht që është një problem, i cili duhet të zgjidhet. Mendoj që startimi i reformimit është i mirë dhe vetëm në nivelin qendror, e më pastaj ka filluar edhe niveli i dytë, domethënë nëpër gjykata dhe në Prokurori të Qarkut që të emërohen zyrtarët e rinj. Pastaj një punë edhe më e fuqishme edhe e policisë në hetime, e agjencisë por edhe mekanizmave të tjerë duhet të jetë më e fuqishme dhe rezultatet nuk do të mungojnë. Në anën tjetër, institucionet qendrore nga këta mekanizma duhet të kërkojnë llogaridhënie, duhet që të kërkojnë nga ta rezultatet e punës së tyre. Sa keni mbështetje nga institucionet - qofshin ato të qeverisjes, apo dhe të drejtësisë? Fillimisht, them se ndoshta është hera e parë në komunikim me ju dhe me publikun, në përgjithësi, nëpërmjet jush, është që agjencia konkretisht nuk e ka asnjë kërkesë ndaj institucioneve qendrore. Përfundimisht janë realizuar të gjitha; kemi bazën ligjore, i kemi tri ligje që në ekzekutiv e ngarkojnë agjencinë, e kemi planin e veprimit, strategjinë anti-korrupsion, kemi edhe disa kushte logjistike që janë krijuar për punë më të mirë të agjencisë. Gjithashtu, kemi stafin komplet dhe përfundimisht kemi edhe një objekt, që nuk është objekt privat, është një objekt që na ofron komoditet për punë të mirë. Edhe me buxhet nuk kemi probleme. Përfundimisht, edhe për zyrtarë të agjencisë, edhe për shërbyesit civilë në agjenci, është siguruar një pjesë e pagës shtesë dhe ky do të jetë një motivim më i mirë për ata që janë në agjenci që të qëndrojnë dhe të punojnë në agjenci. Njëkohësisht, do të jetë më joshës për ekspertët që janë jashtë institucioneve që të kërkojnë të jenë pjesë e punës së agjencisë. Në anën tjetër, po fuqizohet edhe bashkëpunimi me mekanizma edhe në sektorin e drejtësisë. Veçoj një takim te ministri i Drejtësisë, ku kishte përfaqësues nga Prokuroria e shtetit, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe që të gjithë u dakorduam që prioritet për periudhën në vijim të jetë lufta kundër korrupsionit. Do të nënshkruhet edhe memorandumi i bashkëpunimit mes Prokurorisë së shtetit dhe agjencisë. Ndërsa, ditëve në vijim do të nënshkruhet edhe një memorandum bashkëpunimi mes agjencisë dhe Auditorit Gjeneral. Po ashtu, kemi memorandum bashkëpunimi edhe me Policinë e Kosovës, me doganat dhe të gjithë mekanizmat tjerë, që për mision kanë luftën kundër korrupsionit. Them se është krijuar një bazë, një atmosferë e mirë për punë më të fuqishme dhe për një bashkëpunim më konkret.
A keni bashkëpunim me misionin evropian për sundimin e ligjit? Edhe me Prokurorinë e EULEX-it kemi bashkëpunim, kemi memorandum bashkëpunimi. Në vitin e kaluar 2009, ne kemi përcjellë më shumë se 30 informacione për veprime të mundshme korruptive. Ky bashkëpunim po sjell rezultatet e para, shpresoj. Mendoj që ky bashkëpunim do të intensifikohet më shumë ditëve të ardhshme - me një fjalë bashkëpunimi është i mirë.
Sa raste të paraqitura në agjencinë tuaj janë vënë në bankën e drejtësisë? Ka ngritje aktakuzash, mirëpo, fatkeqësisht, për gjykimet s’ka ende rezultat, ose s’kemi ne informacion kthyes. Flas gjithmonë për rastet ku pretendohet që buxheti i Kosovës është goditur më shumë. Kurse, rastet e vogla mendoj se nuk ia vlen të theksohen, disa kanë qenë, mirëpo jo raste, në të cilat atakohen zyrtarë më të lartë të institucioneve të shtetit. Mendoj se te gjyqësori është një problem, i cili do të trajtohet me përkushtimin që e thashë më herët dhe me këtë ngritje të nivelit të bashkëpunimit, do të kemi rezultatet e pritura. Përfundimisht, qytetarëve të Kosovës duhet t’iu dërgojmë një mesazh që jo fjalë, jo vetëm konkluzione të ndryshme, por duhet të kërkojnë nga ne rezultate konkrete, që ta përmbyllim misionin.
Zoti Preteni, ligjet që kanë për qëllim luftimin e korrupsionit, si ai i agjencisë suaj, Ligji për deklarimin e pasurisë dhe Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, në formën siç janë miratuar, thuhet se kanë mangësi të shumta. Ju si mendoni? Nuk mendoj që gjithmonë po tentoj të gjej arsye se ligjet nuk janë të mira. Ne kemi pasur mundësinë e inkuadrimit të drejtpërdrejtë në amendamentin, në ndryshimin dhe nxjerrjen e ligjeve që ju i përmendët. Them që ligjet ende nuk i kanë kaluar gjashtë muaj që janë aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, që kanë hyrë në fuqi, dhe nuk do të ngutemi menjëherë të konstatojmë se ato kanë mangësi. Me siguri se nuk janë ideale, por ne do t’i zbatojmë të tilla çfarë janë dhe praktika do të dëshmojë nëse ligjet kanë mangësi ose jo. Për këtë fazë, me korrektësi të plotë them se në Ligjin për agjencinë ende në këta gjashtë muaj nuk kemi gjetur ndonjë element që është negativ, që domethënë është i mirë dhe ka ndihmuar shumë në pavarësinë e agjencisë. Agjencia tani përfundimisht mbikëqyret dhe monitorohet vetëm nga Kuvendi, gjë që s’ka qenë praktikë në tri vitet e mëhershme. Pastaj Ligji për deklarimin e pasurisë - tashmë po shihen rezultatet e para - është rreth rritjes së transparencës dhe me rritjen e transparencës mendoj që do të zvogëlohet, ose do të ndikohet në parandalimin e korrupsionit. Është një aktivitet i mirë që në të gjithë qytetarët e Kosovës edhe në interesimin e shprehur të tyre e shoh që është një punë mirë e bërë.
Mirëpo, do të shohim ditëve në vijim se a ka mangësi dhe me siguri duhet të ecim me kohë dhe të kuptojmë që në qoftë se disa nene janë të pazbatueshme, ose kemi probleme, atëherë t’i japim kritikat tona. Sa i përket ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, mendoj se nuk po i sjell ndoshta rezultatet e duhura. Në këtë drejtim, te ky ligj, duhet të jepen disa precizitete më të mëdha, sepse nuk është definuar mirë se çka është konflikti i interesit dhe në zbatimin e tij ndoshta nuk po arrihen rezultatet e dëshiruara. Është informatë shumë e mirë që edhe Kodi Penal është duke u amenduar dhe jemi duke e dhënë kontributin konkret që në këtë kod të futen disa nene, të cilat e fuqizojnë punën e agjencisë. Më konkretisht për Ligjin e deklarimit të pasurisë jemi duke bërë përpjekje që mosdeklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rremë të sanksionohen penalisht, domethënë të jenë pjesë e kodit penal.
Ditëve të fundit është diskutuar shumë deklarimi i pasurisë nga zyrtarë publikë. Për to ka pasur vlerësime të ndryshme, por a keni mekanizma për të saktësuar vërtetësinë e pohimeve që janë dhënë nga vetë ata që e kanë deklaruar pasurinë? Është lajm i mirë që përfundimisht janë bërë publike. Neve na ka shkaktuar një angazhim shtesë në agjenci, edhe pse i kemi respektuar afatet ligjore, mirëpo në aspektin teknik ne kemi dëshiruar që të gjithë ata formularë që i kanë plotësuar zyrtarët, të bëhen publikë në formën siç janë dhënë dhe të largohen të gjitha spekulimet dhe mundësitë për spekulime të mundshme se agjencitë i kanë ndërruar shifrat, ose agjencia nuk i ka bartur në tabela të veçanta ato se çka kanë deklaruar zyrtarët. Kështu që i kemi publikuar në tërësi të gjithë formularët në formën dhe në dorëshkrim ashtu siç i kanë dhënë zyrtarët. Domethënë, i kemi skanuar formularët. Pastaj, asnjëri prej zyrtarëve nuk mund të thotë se diçka ka ndryshuar - ajo është e saktë. Në anën tjetër, pres një angazhim të qytetarëve që t’i trajtojnë këto publikime dhe pres një bashkëpunim me ta që të intervenojnë në secilin rast kur vlerësojnë ose kur kanë informacion se nuk është deklaruar e tëra, ose nuk janë deklaruar të gjitha angazhimet. Kemi disa sinjale të mira, kemi disa informacione kur qytetarët na njoftojnë se disa zyrtarë nuk e kanë deklaruar komplet pasurinë e tyre. Gjithashtu kemi edhe raste kur qytetarët njoftojnë se zyrtarët nuk i kanë paraqitur të gjitha vendet e punës. Këto do të jenë pikënisje për ne, që të fillojmë kontrollimin në detaje të këtyre formularëve. Tani zotohem se do t’i kontrollojmë të gjithë ata formularë në aspektin e hollësishëm të kontrollimeve, aty ku kemi informacione se ka dyshime në mes reales dhe të publikuarës.
Radio “Evropa e Lirë”