Kavajë: Kritikët Vlerësojnë Vëllimin Poetik "Bulkthe"
KAVAJË, 5 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Vëllimi poetik "Bulkthe" i Nazmi Rolit është vlerësuar jo vetëm si një arritje e poetit kavajas, por dhe një dëshmi e pjekurisë së lëvruesve shqiptarë në këtë gjini, ndërsa jehona pozitive e vëllimit të publikuar në serinë "Equinox" nga shtëpia botuese "Ombra GVG", lidhet dhe me cilësinë e botimit dhe grafikën e pasur poetike.
Ciklet që përmban ky botim i kushtohen fillimisht autorëve të preferuar botërorë dhe vendas, ndërsa më pas muza krijuese e Nazmi Rolit bredh në folklorin e pasur të trevës dhe në të shkuarën e tij, duke krijuar "bulkthet" e shkurtëra, një lloj i ri ligjërimi i kondensuar për ngjarje dhe personazhe pa emër.
Gjatë diskutimit letrar të zhvilluar këto ditë në Kavajë, poeti Sadik Bejko tha se lexuesit e poezisë janë gjithnjë e më të pakët. Sipas Bejkos, që njihet edhe si kritik letrar, vëllimi i poetit Nazmi Roli vjen pas një kërkimi të gjatë dhe të thellë, ç'ka provon rëndësinë që merr cilësia poetike në raport me lexuesit.
Kritiku Abdulla Tafa analizoi hollësisht veprën e fundit të poetit 65-vjeçar, i cili më parë ka provuar me sukses edhe gjininë e letërsisë dokumentare dhe poezisë për fëmijë. Poeti Pandeli Koçi, që kishte redaktuar në vitin 1971 vëllimin e parë poetik të Nazmi Rolit me titullin "Ne", shtoi se në gati 40 vjet, kurba poetike e autorit nga Kavaja ka njohur vetëm rritje. Vlerësime për poezitë dhanë edhe shkrimtarët Matish Gjeluci, Durim Çaça, Rifat Hoxha, Zydi Shehi, etj. /ch/