Kosove - Forcat Rezerve Te Nato-S, Te Gatshme Per Nderhyrje Ne Perkrahje Te Kfor-It
PRISHTINË, 5 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Forcat Rezervë të NATO-s, të gatshme për nderhyrje në përkrahje të KFOR-it.
Nga 31 maji deri sot, KFOR-i ndërmorri një ushtrim operacional me përfaqësuesit e Forcave Operacional Rezervë të NATO-s për Kosovën nga Gjermania, Austria dhe Çekia, për t'u ofruar atyre të gjitha informacionet e duhura para zbarkimit të tyre të mundshëm në rajonin e përgjegjesisë së KFOR-it në rast nevoje, u bë e ditur sot pasdite në një komunikatë të KFOR-it.
Në komunikatën e Zyrës për informim publik, thuhet se si shtesë e forcave taktike rezervë, të cilat janë të gatshme të reagojnë shumë shpejtë ne çdo kohë dhe kudo në Kosovë, KFOR-i mund të përforcohet nga forcat nga Evropa për një kohë të shkurter. Elementet e parë të rezervave operacionale të NATO-s mund të zbarkojnë brenda disa ditësh në Kosovë.
"Këto trupa janë shumëkombëshe, forca mobile profesionale me aftësi të shumëllojshme ushtarake, të afta të merren me çfarëdo të papriture ushtarake. Ky ushtrim është një hap për të mbajtur Forcat Rezevë të NATO-s të afta të zbarkojnë shpejtë, për të mbajtur siguri dhe stabilitet për qytetarët në Kosovë", theksohet në komunikatë.
Gjithashtu, vihet ne dukje se ky trajnim i ushtrimeve operacionale është planifikuar më përpara dhe nuk ka asnje lidhje me çfardo ngjarje apo zhvillime aktuale. /a.ke/