Prishtinë, 5 qershor, NOA – Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i nënshtrohet procesit zgjedhor brenda radhëve të saj, gjatë muajve të vjeshtës, fakt ky i konfirmuar gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj force të rëndësishme politike në Kosovë.
Ndërkaq, disa nga zyrtarët e saj kanë kërkuar që të rishqyrtohet pozicioni i kësaj partie në koalicionin aktual qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Kemi marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme, të rregullta në LDK dhe ato zgjedhje do të mbahen nga 10 shtatori deri më 30 nëntor të këtij viti. Është marrë vendim që të formohen dhe katër grupe punuese, të cilat kanë qenë të parapara me pakon e reformave të partisë”, ka deklaruar nënkryetari i kësaj partie, Engjëll Kryeziu.
Ndërkohë, anëtari tjetër i Këshillit të Përgjithshëm, Fatmir Rexhepi, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po i afrohet vijës së kuqe, e cila, sipas tij, nënkupton që LDK-ja gjatë qershorit duhet të thërrasë sërish Këshillin e Përgjithshëm për të marrë vendim për të dalë nga qeveria aktuale.
“Kosova ka nevojë për LDK-në, Kosova ka nevojë për një qeverisje shumë më të mirë, por unë mendoj që duhet të kemi një strategji dhe t’i shohim arsyet përse i duhet shtetit të Kosovës të jetë LDK-ja. Dhe, kur duhet të ndodhë ky moment, kur është ajo zona e kuqe kur LDK-ja dhe as vendi ndoshta s’kanë më interes të jenë pjesë e kësaj qeverisje”, është shprehur Rexhepi. n.e/NOA