Libra Të Rinj Në Libraritë E Tiranës
TIRANË, 5 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Stendat e librarive të kryeqytetit janë pasuruar këtë javë me një numër librash të rinj të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Disa prej tyre janë:
"Historia Botërore e Spiunazhit", është një libër i Viktor Kaprov. Në libër flitet për historinë e spiunazhit që ka ekzistuar në të gjithë kohërat. Shërbimet e fshehta thuhet në këtë libër kanë ndikuar në rrjedhën e historisë.
Është një libër që vjen nga shtëpia botuese "Plejad" dhe kushton 1200 lekë.
"Sfidat e Farmaceutikës" është një libër studimor i Dr.Shk. Ruki Kondaj. Në të bëhet një analize integrale e sektorit tonë farmaceutik në kontekst të sistemit shëndetësor shqiptar, identifikimi i arritjeve dhe mangësive, formulimi i një dokumenti sugjerues për drejtimet kryesore strategjike të zhvillimit të tij të sotëm dhe në të ardhmen, etj.
Libri është botuar nga shtëpia botuese "Toena" dhe kushton 800 lekë.
"Vip (i censuruar)" është libri më i ri i Prof.Dr Ylli Pangos. Në këtë libër Pango sqaron mëhallat e shoqërisë sonë, ku gjarpërojnë deliri i madhështisë, megalomania, projektimi i zmadhuar i vetes, hipnoza mediatike, etj.
Libri është botuar nga shtëpia botuese "Ideart" dhe kushton 600 lekë.
"Studime kulturore Ballkanike", një libër studimor i autorit Stavro Skëndo. Në këtë libër trajtohen jo vetëm botimet dhe zhvillimet në arsimin shqiptar, por edhe folklori dhe gjuha.
Libri është botuar nga shtëpia botuese "IDK" dhe kushton 800 lekë. /s.s./