English

Ligji I Ri "Antimafia", Efektet E Para Në Luftën Kundër Krimit

TIRANË, 5 Qershor/ATSH/- Andi Myrte/.- Ligji i ri "Antimafia" ka filluar të japë efektet e para pozitive në luftën kundër krimit të organizuar dhe sidomos pasurive që rrjedhin prej tij. Ligji për "Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë", i quajtur si ligji i ri "Antimafia", ka hyrë në fuqi që në Janar të 2010-s, pas miratimit nga Parlamenti Shqiptar dhe po zbatohet gjerësisht nga institucionet e rendit dhe drejtësisë. Që nga janari e deri më sot, prokuroria e Shtetit, e vecanërisht Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka nisur hetime të reja për më tepër se 10 raste që kanë të bëjnë me pasuritë e luajtshme ose jo, apo asete që mendohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga individë të ndryshëm. Ndërsa në Gjykatë janë referuar kërkesa për sekuestrimin e pasurive të dyshuara me prejardhje kriminale, për dy raste, përfshi këtu pasuri që i përkasin anëtarëve të ish- bandave kriminale. Në këtë kuadër, janë sekuestruar pasuri të shumta, me vlerë të konsiderueshme si, troje, apartamente banimi, makina etj, të cilat mendohet se rrjedhin nga krimi. Por, nën hetim janë edhe shumë çështje të tjera për pasuri të dyshimta, të cilat kanë qenë te regjistruara në Prokurorinë e Krimeve të Rënda që në 2007-ën. -Ligji- Ligji i ri "Antimafia" lindi si domosdoshmeri për përmirësimin e kuadrit ligjor si dhe për t'i dhënë zgjidhje disa problemeve të hasura gjatë zbatimit të ligjit të mëparshëm, atij të vitit 2004 për asetet e krimit. Gjithçka mori spunto nga një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë i vitit 2007, që ndalonte bllokimin e pasurive të personave të akuzuar për krime të rënda, nëse nuk provohej se pasuria është vendosur pas regjistrimit të procedimit penal në prokurori. Ndërkohe që ligji i ri që hyri në fuqi që në 24 janar të 2010, nuk e lidh sekuestrimin e pasurisë domosdoshmërish me një procedim penal duke e kapërcyer këtë pengesë por edhe të tjera. Prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, institucionit që kalon në "sitë" çështjet që lidhen me pasurite qe dyshohen për prejardhje kriminale, kanë shprehur vlerësime për këtë ligj, që është në zbatim prej më tepër se katër muaj. "Ligji i ri ka sjellë disa të reja nga pikpamja e legjislacionit, që do të ndikojnë pozitivisht në luftën për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga krimi", thotë për ATSH-në prokurori Adnand Xholi. Sipas tij, ligji i ka dhënë zgjidhje disa probleme të hasura më parë nga zbatimi në praktikë i ligjit të mëparshëm, i cili është shfuqizuar. Duke folur për këtë ligji, prokurori sqaron se ai zbatohet për pasuritë e personave mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, bazuar në indicie. Ndërkohë që me ane te ketij ligji ështe zgjeruar kategoria e veprave penale dhe rrethi i subjekteve ndaj të cilëve zhvillohet hetim pasuror, me vepra penale të cilat aktualisht nuk janë në kompetencën lëndore të Gjykatës për Krime të Rënda si, "Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese", "Pastrimit të Produkteve të veprës penale" dhe "Prodhimit dhe mbajtjes së narkotikëve". Ligji, mesohet se aplikohet edhe për pasuritë e familjarëve të personave të dyshuar, si dhe gjen zbatim dhe për pasuritë e trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por për një periudhë jo më shumë se 5 vjeçare. Gjithashtu, aplikohet edhe për pasuritë e personave të krijuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kusht që pasuritë të jenë vënë gjatë përfshirjes së dyshuar të tij në veprimtarinë kriminale, sipas këtij ligji. Duke u ndalur në një moment shumë të rëndësishme të ligjit, që lidhet me pasuritë të cilat dëmtohen, u bie vlera në mënyrë të ndjeshme, ose dalin jashtë përdorimit (automjete, anije), prokurori thekson se "sipas ligjit, Gjykata kryesisht ose me kërkesë të palëve, mund të vendosë kalimin e të drejtave reale tek të tretët, nisur nga parimet e mirëadministrimit të pasurisë". Nga burimet zyrtare të prokurorisë, mësohet se për llogari të hetimit mbi pasuritë e dyshuara si kriminale, prokuroria mund të marrë informacion nga shumë institucione si, Drejtoria e Pergjithshme e Parandalimit te Pastrimit te Parave, Bankat, për llogaritë bankare, depozitat etj, Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave etj. Për këto hetime, pranë prokurorisë për Krime të Rënda-Tiranë funksionon një sektor që përbëhet nga 3 Prokurorë dhe 3 Oficerë të Policisë Gjyqësore, të cilët janë marrë me aplikimin dhe zbatimin në praktikë të ligjit në fjalë. Ndërsa në varësi të cështjeve që mund të regjistrohen mund të shtohet ky numër. -Konsiderata për ligjin- Prononcime të shumta për këtë ligj janë dhënë keto muaj për mediat edhe nga shumë aktorë të tjerë. Kështu, Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, e ka cilësuar ligjin e ri Antimafia si një instrument të fuqishëm në luftën kundër krimit të organizuar, duke lajmëruar kështu nisjen e një fazë të re të luftës kundër krimit. "Një fazë e re ka nisur në luftën kundër krimit të organizuar", tha Basha, pas miratimit të ligjit në Parlament. Të njëjtën konsideratë ka perciellë edhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili e ka quajtur ligji antimafia si shumë të mirë. Sipas tij, ligji i drejtohet teresisht individeve apo grupeve te individeve qe perfshihen ne veprimtari kriminale dhe pasurite qe ata posedojne jane te pajustifikuara me jeten normale qe ata bejne. Pas hyrjes në fuqi të ligjit te ri "Antimafia", Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, u kërkoi hetuesve dhe prokurorëve zbatimin me rigorozitet te tij, ne bashkepunim edhe me agjencite e tjera te zbatimit te ligjit. Nga Prokuroria e Pergjithshme mësohet se jane organizuar edhe shumë seminare për trajnimin e hetuesve dhe prokurorëve qe do te zbatojne kete ligj. -Sekuestrimet - Që nga hyrja në fuqi e ketij ligji, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë regjistruar mbi 10 procedime që lidhen me pasuritë që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale si dhe po verifikohen te gjitha procedimet e regjistruara nga viti 2007 e në vijim. Sipas të dhënave zyrtare, nga prokuroria janë dërguar ne Gjykate edhe 2 kërkesa për vendosjen e sekuestros, të miratuara nga Gjykata e Shkallës së Parë, ku janë sekuestruar disa pasuri, disa nga të cilat i përkasin edhe anëtarëve të "Bandës së Durrësit" dhe asaj të Lushnjes. Pasuritë e sekuestruara janë si mëposhtë: Truall + ndërtesë, me siperfaqje totale 200 m2, në Lushnje Apartament banimi me sipërfaqe 132.95 m2, në Tirane Lokal "Pastiçeri" me sip.108 m2 , Lushnje Pronë trruall me sipërfaqe prej 1500 m2, Durres Pronë truall me sipërfaqe 500 m2, ndodhur në Durres Llogari bankare ne shumen 1 148. Euro, 2(dy) depozita kursimi ne shumën 1 946 267 lekë, Autoveture, MITSUBISHI-PAJERO, prodhim i vitit 1999, Kamion, SAURER, prodhim i vitit 1982, Autoveture, marka BENZ, prodhim i vitit 1989 Autovetures tip Benz, Autovetures tip Transit, marka Ford, prodhim i vitit 1996, Autovetures tip Benz 124 (300 TD), prodhim i vitit 1991, Motorçiklete YAMAHA, prodhim i vitit 2002. /a.ke/
KOMENTE