Lushnje- Arrestohet Punonjësja E Një Banke, Grabiti Përmes Mashtrimit Mbi 10 Milion Lekë
TIRANË, 5 Qershor/ATSH- Mira Shkurta/- Një punonjëse në një banke private në qytetin e Lushnjes u arrestua sot nga policia nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi dyshohet se ka grabitur mbi 10 milione lekë.
"Ornela Tabaku, me profesion financiere, u arrestua në banesën e saj në Lushnjë, në kuadër të operacionit "Transferat e fundit", i kryer nga policia në bashkëpunim me bankën private ku ajo punonte", thanë për ATSH-në burime zyrtare të Policisë së Shtetit.
Nga hetimet e deritanishme të policisë rezulton se Tabaku kishte në llogarinë e saj bankare mbi 10 milionë lekë, të cilën i kishte përvetësuar duke e tërhequr nga një subjekt shtetëror.
Policia dyshon se punonjësja Tabaku ka ndërhyrë dhe në llogarite private të klienteve. Burimet bënë të ditur se është vërtetuar fakti kur ajo ka tërhequr shumën prej 5000 euro nga llogaria e një klienti.
Të njëjtat burime thanë se shuma në llogarinë bankare e punonjëses Tabaku është sekuestruar, ndërsa ndaj saj është ngritur akuza "Vjedhje duke shpërdoruar detyrën" dhe "Vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit". /a.ke/