Mallakastër: Grupi "Bilbilat E Sarandes", Fitues I Festivalit Te Iv-T Ndërkombëtar Te Polifonisë
FIER, 5 qeshor /ATSH-Rr.Isufaj/ - Me dhënien e çmimit të parë për grupin "Bilbilat e Sarandës" si dhe për disa nga grupet pjesëmarrëse, ndër 22 grupe polifonike shqiptare dhe të huaja, sot në mesditë u mbyll Festivali i IV-t Ndërkombëtar i Polifonisë që u zhvillua në qytetin antik të Bylisit.
Rreth 22 grupe folklorike shqiptare dhe të huaja shfaqën për 3 ditë në 3-5 qershor vlerat polifonike, prej të cilave juria vlerësoi me çmimin e parë grupin "Bilbilat e Sarandës". Çmimin e dytë e fitoi grupi i Tiranës "Bashkimi i Shoqatave të Polifonisë" dhe çmimin e tretë, grupi polifonik i Himarës. Dy grupet folklorike greke, i Lunxhërisë dhe i Rejçit u nderuan me medalje bronxi.
Pjesëmarrësit vlerësuan shumë eksperiencën dhe atmosferën që ofroi polifonia në këto ditë në Bylisn antik.
"Ndjejmë keqardhje që tre ditët e magjishme mbaruan kaq shpejt," tha për ATSH-në, kryetari i shoqatës "Polifonia Shqiptare",Yzeir Llanaj. Ndërsa Petrit Metushi, mjeshtri i interpretimit të këngës polifonike, i cili u nderua me medalje bronxi, përfundon "Ç'të them!? Ku gjenden fjalët për të përshkruar gëzimin! Arti më mban gjallë". /ch/