Mjekësi - Pas 30 Vitesh Një Armë E Re Kundër Melanomës
ÇIKAGO (Ilinois), 5 qershor /ATSH-ANSA/ - Pas 30 vite dështimesh, sot ka një armë të re efikase kundër tumorit më agresiv të lëkurës, melanoma, pavarësisht se kura e re nuk prek drejtpërdrejt tumorin, ajo nxit dhe aktivizon mbrojtjet e imunitetit.
Rezultatet e eksperimentit, kryer në 125 qendra në të gjithë botën, janë publikuar sot në kongresin e Shoqërisë Amerikane të Onkologjisë Molekulare (Asco) që po zhvillohet në Çikago, Ilinois.
Molekula, e quajtur ipilimumab, aktualisht është në fazën e tretë të eksperimentimit. Nuk është një vaksinë, por një terapi imunitare. "Ndërsa një vaksinë stimulon drejtpërdrejt sistemin imunitar, ky medikament heq bllokuesin", shpjegon koordinatori i qendrës italiane që po kryen një pjesë të eksperimentit, Paolo Ascierto, i Institutit Kombëtar të Tumoreve "Pascale" në Napoli.
Molekula zhbllokon bllokuesin molekular që në kushte normale ndalon reaksionin imunitar në momentin e duhur. Për pasojë, mbrojtjet imunitare janë aktivizuar pa limit kundër qelizave tumorale.
Rezultatet janë cilësuar shumë inkurajuese. Disa qendra të tjera po kryejnë eksperimente me këtë medikament kundër tumoreve të prostatës dhe mushkërive.
/e.v/ a.jor.