English

Një letër për ambasadorin e BE

Kompensimi nuk mund te zëvendësojë kthimin fizik të pronave në bregdet

Nga Dr. Niko Nesturi*

English Version Below

Në 17 Maj 2010 Ambasadori i Bashkimit Europian ne Tiranë Helmuth Lohan, ktheu përgjigje kryesisë së Shoqatës lidhur me kërkesën tonë, që BE të ndikojnë për zgjidhjen e kaosit të krijuar me titujt e pronësisë për shkak të mos respektimit të të drejtës pronës private. Kjo përgjigja u analizua në mbledhjen e Shoqatës dhe po bëjmë publike përgjigjen tonë pasi ajo ju intereson të gjithë pronarëve.

Në përgjigjen e tij zoti Lohan thotë: “ Bashkimi Europian ka theksuar si prioritet të bashkëpunimit nevojën e kompensimit të pronarëve të mëparshëm dhe zgjidhjen e problemit të pronave...” Në letrën tonë drejtuar ambasadorit të BE zotit Helmuth Lohan, ne ashtu si dhe në shumë letra të mëparshme, kemi sqaruar problemin por përgjigja e ambasadorit Lohan ndryshon thelbin e problemit.

Eshte i mirënjohur fakti se në veri të Shqipërisë, çdo trung familjar ka marë pronat që kishte para kolektivizimit komunist dhe atje kompensime priten vetëm për ato prona që deri në vitin 1991 janë zënë me ndërtime banimi dhe për për ato prona që shfrytëzohen për nevoja publike. Kjo është e zgjidhja e drejtë dhe këtë zgjidhje kërkojmë edhe për zonat turistike ku prej 19 vjetësh nga politikanët po zbatohet një standard i dyfishtë.

Përgjigja e zotit Lohan në koncept nuk na duket e drejtë sepse bazuar në të drejtën e pronës ne nuk jemi pronarë të mëparshëm apo ish pronarë, siç na quajne politikanët shqiptarë që zbatojnë platformën e Katovicës dhe kanë ricikluar dhunën shtetërore mbi pronën private në kushtet e pseudodemokracisë. Ne jemi pronarë që nuk e kemi humbur asnjëherë të drejtën e pronës tonë të trashëguar as në kohën e diktaturës. Ne jemi pronarët e mirfilltë dhe kthimi i të drejtës së posedimit për pronën tonë të trashëguar eshtë një e drejtë kushtetuse, një e drejetë që respektohet nga parimet Biblike dhe Kuranore. Prona e trashëguar për secilin nga ne përfaqëson atdheun dhe dinjitetin tonë që historikisht asnjë pushtues nuk ka mundur të na e mohojë dhe historikisht është respektuar në shekuj nga tradita doket dhe zakonet e popullit. Për cilindo pronar të ligjshëm mendimi për zëvendësimin e kthimit me kompensim vlerësohet si halucinacion për demokraci. Kompensimi le të parashikohet për ata që kanë përfituar padrejtësish prona dhe prona ti kthehet të zotit, keshtu zgjidhet problemi i prones, por kjo nuk duhet të vazhdojë të lihet në dorë te politikanëve që nuk kanë interes ta bëjnë këtë.

Ne shprehemi publikisht se mendimi i ambasadorit të BE, për zgjidhjen e problemit të pronës duke i dhënë prioritet kompensimit në fakt maskon grabitjen e pronave tona, nuk respekton origjinën e pronës (nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës) dhe shkelet parimi bazë i demokracisë. Kaosi i pronës në zonat turistike regullohet shpejt nëse nga institucionet ndërkombëtare do të kuptohet se ky problem është problem i të drejtës dhe është më i rëndësishëm se kutitë e votimit dhe diskriminimi i supozuar i ndonjë homoseksuali. Ky ngërç korigjohet nëse politika dhe Qeveria Shqiptare në mbështetjen nga institucionet ndërkombëtare kushtëzohet që të zgjidhi problemin e pronës në Shqipërinë e jugut ashtu siç është vepruar edhe në pjesën veriore të vendit, ashtu siç përcakton Kushtetuta (neni 181) dhe dokumenti nr 11115 dt 20 Dhjetor 2006 i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës. Në planin praktik kjo zgjidhet shpejt nëse do të përcaktohen afate kohore të shpejta, nëpërmjet një ligji të miratuar me procedurë të shpejtuar, që të detyrojë Shtetin të përfundojë paraprakisht kthimin fizik dhe shpalljen e pavlefshmërisë për aktet me të cilat shteti, duke mos qenë pronar i ligjshëm, transferoi në persona të tretë, pas vitit 1991, pronat e zonave turistike të shtetëzuara nga diktatura.

Shteti demokratik fillon me respektimin e të drejtës së pronës dhe nga institucionet ndërkombëtare nuk mund të mbyllen sytë kur Shqipëria në zonat turistike zbaton standarte të dyfishta. Pronat e qytetarëve që regjimi diktorial i mëparshëm i ka shtetëzuar, nuk mund të trajtohen si prona në dispozicion të interesave të politikanëve se mohimi i të drejtës së pronës mohon thelbin e të drejtave të njeriut. Kjo platformë i intereson kryesisht mafies së trojeve turistike dhe korrupsionit pushtetar. Duke I dhene prioritet kompensimit, ne kthehemi në skllevër modernë dhe sakrifikohemi për interesat klanore të politikanëve. Kjo i fut shqiptarët në luftë kundër njëritjetrit dhe kjo e çon Shqipërinë drejt shkatërrimit social, ekonomik dhe kombëtar. Në mbyllje ne dëshirojmë të pyesim publikisht zotin Helmuth Lohan se në cilin nga vendet e ish kampit komunist dhe në ato që janë antare në BE pronat e zonave turistike nuk i janë kthyer pronarëve por janë përvetësuar nga klanet e politikanëve ? D.m.th a pranohet si standard europian justifikimi me kompensim që shkel të drejtën e pronës së trashëguar kur kthimi fizik është plotësisht i mundur.

Ne shpresojmë se ambasadori Helmuth Lohan do mirkuptojë shqetësimin për të cilin i jemi drejtuar dhe këtë përgjigje të detyruar.

(*) Dërguar nga autori, nga Kryesia e shoqatës ‘Bregdeti’

English Version

KOMENTE