English

Përmbledhje - Flotilja - Dhjetëra Mijëra Persona Manifestojnë Në Evropë Kundër Izraelit

PARIS, 5 qershor /ATSH-AFP/ - Dhjetra mijëra persona manifestuan sot kundër Izraelit në disa qytete të Evropës, pesë ditë pas një sulmi të përgjakshëm të ushtrisë izraelite kundër një flotilje ndihmash për në Gaza. Këto manifestime u zhvilluan, ndërkohë që marina izraelite ndaloi në mesditë një anije tjetër irlandeze ''Rachel Corrie'', që ishte nisur drejt Rripit të Gazës. Rreth 8 000 manifestues iu përgjigjën, në shumë qytete të Francës, kërkesës së dhjetëra organizatave politike, sindikaliste dhe fetare propalestineze. ''Në Paris, rreth 5 000 persona u mblodhën në sheshin Konkord në qendër të kryeqytetit'', theksoi një gazetar. Në jug të Francës, të paktën 2 000 persona, sipas policisë ishin mbledhur në Nice dhe rreth një mijë në Marsejë, Bordo dhe Montpëlier duke kërkuar sanksione ndërkombëtare kundër Izraelit dhe dhënien fund të bllokadës në Gaza. Në Stamboll të paktën 5 000 deri në 10 000 persona manifestuan sot kundër Izraelit për shkak të sulmit izraelit kundër flotiljes së ndihmave nisur drejt Gazës, ku humbën jetën nëntë shtetas turq. Manifestuesit u mblodhën në lagjen Caglayan, në brigjet evropiane të Stambollit me kërkesë të OJQ-së islamike IHH, një prej organizatoreve kryesore të ekspeditës detare me ndihma në Gaza. Që prej sulmit të së hënës nga komando izraelite kundër flotiljes ndërkombëtare me ndihma dhjetra mijëra persona kanë manifestuar në Turqi kundër Izraelit dhe në mbështetje të Hamasit, lëvizja islamike palestineze që kontrollon Rripin e Gazës. Në Londër disa mijëra persona u mblodhën para rezidencës zyrtare të kryeministrit britanik, David Cameron para se të mblidheshin në ambasadën izraelite në Londër. "Lironi, lironi palestinezët'', ''ndaloni piraterinë izraelite'', ''ne jemi të gjithë me palestinezët'' thërrisnin manifestuesit duke mbajtur në duar flamuj palestinezë./ /ec/
KOMENTE