English

Prifti: Qeveria fonde ndihme për fasonët, pasi punësojnë shumë njerëz

Tiranë, 5 Qershor, NOA – Qeveria ka një fond prej disa milionë euro për të stimuluar bizneset e fasonëve, i cili duhet të shpenzohet brenda këtij viti, duke presupozuar marrjen e kredive prej tyre deri në 500 mijë euro për investime, rinovim të teknologjisë, blerje makinerish etj.

Një gjë e tillë është plotësisht e merituar nga ana e biznesit të sektorit të material-porositësit, pasi ai punëson shumë njerëz dhe sjell mjaft të ardhura për qeverinë nga pagesat.

Këtë fakt e ka pohuar ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, gjatë një takimi të posaçëm me përfaqësues të biznesit të fasoneve, sipas të cilit ky biznes meriton të ndihmohet.

“Gjatë vitit të kaluar, ky biznes ka kaluar një periudhë krize, por ka filluar të ringrihet”, bëri me dije Prifti, ndërsa shtoi se fondi i ndihmës është ndarë në 5 banka të nivelit të dytë, secila me nga 2 milionë euro për ta shpenzuar brenda vitit.

“Do të krijojmë edhe një fond tjetër, që quhet i teknologjisë, i cili presupozon krijimin e fondeve për rinovimin e teknologjisë dhe blerjen e makinerive të reja”, tha Prifti.

Ndërsa shtoi se “në aspektin e taksave, qeveria ka bërë mjaftueshëm, për favorizimin e tyre ndaj biznesit fason, ku niveli i tyre në Shqipëri është konkurrues, për të mos thënë më favorizuesi ndër vendet e rajonit”.

“Ka patur një vëmendje nga qeveria për ta favorizuar këtë biznes, kur nuk është parë në asnjë vend të botës që në kohë krize të ulen taksat, siç është bërë me fasonët”, përfundoi ministri i Ekonomisë.

n.e/NOA

KOMENTE