Tiranë,5 qershor, NOA - Bizneset eksportuese ngrenë shqetësimin se burokracitë shtetërore, si pasojë e mos zbatimit të ligjit rrisin kostot e tyre në punë, duke punësuar një person të veçantë, për të mbuluar këto procedura.
Një nga biznesmenët e kësaj fushe, Alban Zusi shprehet ka një sërë ligjesh të miratuara nga qeveria që janë favorizuese për sipërmarrjet private, por nuk zbatohen. Sipas tij nuk gjen zbatim siç duhet, rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar, nuk aplikohet prova tre mujore kur merret në punë një punonjës, por kërkohet menjëherë sigurimi i tij, etj.
“Sikur të zbatoheshin ligjet në fuqi, ne do të na reduktoheshin 20-30% të kostove tona të punës”-shprehet Zusi.
Këto shqetësime u bënë gjatë një takimi me Ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti, ku i pranishëm ishte edhe zv/kryeministri Ilir Meta, i cili dha mbështetjen e tij në realizimin e kërkesave të biznesit.
Më tej, ministri Prifti njoftoi fillimin e zbatimit të një nisme të re për bizneset eksportuese. Një fond prej 10 milion euro do të shpërndahet brenda këtij viti, për bizneset kryesisht fasonist që kanë nevojë të zhvillojnë aktivitetin e tyre me qëllim rritjen e punësimit.
Në bazë të këtij projekti, çdo biznes do të mund të përfitojë deri ne 500 mijë euro, me një interes vjetor prej 3 %. Një zyrë e posaçme në Ministrinë e Ekonomisë do të merret me aplikimet e biznesit dhe me miratimin e kredive, të cilat do të shpërndahen në pesë banka të nivelit të dytë.
Mbështetja e biznesit me kredi të buta është një masë e nevojshme, në kushtet kur bankat kanë shtrenjtuar ndjeshëm normat e interesit. Eksportuesit janë sektori, I cili ka ndjerë efektet më të mëdha nga kriza ekonomike globale dhe kanë nevojë për lehtësira fiskale për të rimarrë veten.
r.l/NOA