Shba-Ja Po Shqyrton Opsione Të Tjera Kundër Koresë Së Veriut
SINGAPOR, 5 qershor /ATSH-AFP/ - Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë opsione të tjera për ta detyruar Korenë e Veriut të japë llogari pas goditjes me silurë të një anijeje lufte koreanoveriore, njoftoi sot sekretari amerikan për Mbrojtjen, Robert Gates.
Përveç manovrave ushtarake amerikano-koreanojugore dhe të mbështetjes së dhënë nga Uashingtoni Seulit i cili iu drejtua zyrtarisht dje Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë opsione të tjera në mënyrë që Koreja e Veriut të japë llogari", deklaroi Gates gjatë një fjalimi në Singapor.
Sekretari amerikan nuk dha hollësi se cilat masa ose cilat sanksione po shqyrtohen.
"Mosveprimi është njëlloj si të heqësh dorë nga përgjegjësitë kolektive për të mbrojtur paqen dhe forcuar stabilitetin në Azi", paralajmëroi Gates i cili u shpreh në një konferencë për sigurinë në Azi.
Një hetim ndërkombëtar arriti në përfundim muajin e kaluar se mbytja e anijes Chenoan është shkaktuar nga një goditje me silurë nga një nëndetëse koreanoveriore. Pheniani përgënjeshtroi çdo përgjegjësi në incident.
Sipas Robert Gates, mbytja e anijes, që shkaktoi vdekjen e 46 marinarëve koreanojugorë më 26 mars pranë vijës së demarkacionit detar me Korenë e Veriut, nuk ishte një incident i izoluar, por "ishte pjesë e një qëndrimi provokues dhe të pamatur të Phenianit".
"Koreja e Veriut duhet t'i japë fund qëndrimit të saj luftarak dhe të tregojë qartë dhe me vendosmëri se kërkon të ecë përpara në një qëndrim tjetër", shtoi ai.
/I.Pu.