Shkodër/ Mediu: Shqipëria Po Zbaton Disa Projekte Për Mbrojtjen E Mjedisit
SHKODËR, 5 Qershor/ATSH-G. Marku/- Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave është duke zbatuar disa projekte për mbrojtjen e mjedisit, deklaroi të shtunën, në Shkodër, ministri Fatmir Mediu.
"Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave po zbaton disa projekte për ruajtjen dhe përmirësimin e biodiversitetit, hartimin e planeve të menaxhimit të zonave të mbrojtura si dhe projekte pilot për menaxhimin e integruar të ekosistemeve me vlera të larta të biodiversitetit", tha ministri Mediu në konferencën ndërkombëtare "Prezantimi i parimeve të Ramsar drejt menaxhimit të integruar të burimeve natyrore të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna", në Ditën Botërore të Mjedisit.
Ministri Mediu veçoi projektin që po zbatohet në Shkodër për menaxhimin e integruar të ekosistemit të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, që gëzojnë status të veçantë, pasi janë përfshirë në listën kombëtare të zonave të mbrojtura dhe në listën ndërkombëtare të konventës së Ramsarit.
Me marrjen e këtij statusi, në këto zona po punohet në disa drejtime, me qëllim, mbrojtjen e ekosistemit, reduktimin e ndotjes nga presioni human mbi ujrat dhe habitatet.
Duke marrë në konsideratë nevojën për zhvillim dhe adresim të problemeve sociale, sipas Mediut, po punohet për nxitjen e turizmit dhe aktiviteteve të tjera, me parimin për sa më shumë miqësi me mjedisin.
Ministri Mediu bëri të ditur se Konventa e Ransarit ka listuar nga Shqipëria tre zona me rëndësi ndërkombëtare, Shkodra, Karavastaja e Butrinti. Por ai shtoi se në planet e MMPAU parashikohen të vlerësohen e përfshihen më listën ndërkombëtare të Ramstarit edhe zona të tjera në vend.
"Tashmë, me një kuadër të plotë ligjor në fushën e natyrës, Shqipëria është duke punuar për zbatimin e tij në praktikë, që ekosistemet ligatinore të mbrohen e mirëmenaxhohen edhe sipas principeve e të Konventës së Ramstarit," tha ministri Mediu.
Ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit, Branimir Gvozdenoviç i Malit të Zi, vlerësoi punimet e konferencës si "shumë të rëndësishme për të dyja palët".
Ministri malazez shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e mirë për të bashkëpunuar sa më mirë për realizimin dhe zbatimin me sukses të projekteve të hartuara, duke ndikuar për një mjedis sa më të pastër dhe bashkëkohor në shërbim të komunitetit./ch/