English

Slloveni - Nesër Referendum Për Kufirin Me Kroacinë

LUBJANË, 5 qershor /ATSH-ANSA/ - Nesër në Slloveni zhvillohet një referendum për marrëveshjen me Kroacinë në përcaktimin e kufijve ndërmjet dy ish-republikave jugosllave në veri të Adriatikut dhe sondazhet e fundit tregojnë një avantazh të lehtë të atyre që janë në favor, pavarësisht se parashikimet nuk mund të jenë të sakta pasi mbetet i lartë numri i të pavendosurve. Marrëveshja, që u arrit vitin e kaluar ndërmjet kryeministres kroate Jadranka Kosor dhe kryeministrit slloven Borut Pahor, parashikon ngritjen e një organizmi të formuar nga pesë "arbitra" ndërkombëtarë që duhet të shënjojnë vijën kufitare në mënyrë që Lubjanës t'i garantohet aksesi në ujërat ndërkombëtare në Gjirin e Piranit. Interesi kombëtar slloven është i qartë, të jetë një vend detar, te ketë akses të drejtpërdrejtë në ujërat ndërkombëtare në Gjirin e Triestes, por opozita dhe qeveria e qendrës së majtë janë skeptike për garancinë se kjo marrëveshje me Kroacinë mund të funksionojë. Marrëveshja mori po-në e parlamentit por duke parë rëndësinë e saj, të gjitha partitë politike janë dakord për nevojën e zhvillimit të një referendumi popullor. Javët e fundit janë transformuar në një përplasje të drejtpërdrejtë ndërmjet dy blloqeve politike, me akuza kundër kryeministrit se "ka shitur detin slloven". Presidenti Danilo Turk dhe kryeministri Pahor i kanë ftuar sllovenët ta mbështesin marrëveshjen se pse "i garanton Sllovenisë kontaktin e drejtpërdrejtë me detin e hapur dhe është arritur me shpirtin e dialogut evropian". "Në rastin e fitores së 'jo-së', Sllovenia mund të gjendet në një lloj izolimi ndërkombëtar", deklaroi Pahor. Analistët parashikojnë se refuzimi i marrëveshjes mund t'i japë nismë edhe një periudhe destabilizimi të brendshëm në vend dhe presioni do të rritet për largimin e qeverisë. Nga sondazhet e fundit, publikuar javën e kaluar, rezulton se 20 për qind e elektoratit është ende i pavendosur, ata që janë në favor numërohen ndërmjet 37 dhe 51 për qind, ndërsa ata që e kundërshtojnë janë rreth 36 për qind. /e.v/
KOMENTE