Sport- Kombëtarja E Boksit Starton Aventurën Në Evropianin E Boksit
TIRANË, 5 Qershor/ ATSH- Gjergji Mima/. - Ekipi Kombëtar i boksit për të rritur ka mbërritur dje në Rusi, ku deri më 13 qershor do të zhvillohet Kampionati Europian i Boksit.
Sekretari i Federatës Shqiptare të Boksit, Edmond Kabashi, tha sot për ATSH-n se, në përbërjen e ekipit kombëtar shqiptar janë dy trajnerët e Kombetares, Zef Gjoni, Skënder Kurti dhe tre boksierë, Enea Kovaçi (pesha 69 kg), Aleksandër Ramo (pesha 81 kg), Kristjan Demaj (pesha 91 kg).
Sipas Kabashit, sot paradite është hedhur në Moskë shorti zyrtar, nga i cili ka rezultuar se boksieri Enea Kovaçi do të ndeshet sot kundër kampionit të kampionatit Botëror në këtë peshë. Ndërsa, boksierët Aleksandër Ramo dhe Kristjan Demaj do të ndeshen ditën e nesërme.
Në ekipin shqiptar mungon boksieri Albi Sorra, i cili studion dhe stërvitet në qytetin e Vorozhinit në Rusi, dhe në një intervistë për ATSH-në, para pak javësh kishte shprehur dëshirën e tij për të marrë pjesë në kampionatin Evropian të Boksit./s.s./