English

Sport-Merkato/ Lojtarët E Kombëtares Në Qendër Të Merkatos Verore

TIRANË, 5 Qershor/ ATSH- Gjergji Mima/. - Futbollistët e Kombëtares shqiptare të futbollit gjenden gjithnjë e më shumë në qendër të merkatos verore. Mesfushori Klodian Duro mund të luajë sezonin e ardhshëm për Olimpiakos Volos, skuadrën greke të porsa ngjitur në Super League. Menaxheri i klubit grek, Taqis Janopulos, i shoqëruar nga ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Foto Strakosha, ishte i pranishëm në ndeshjen miqësore ndërkombëtare Shqipëri-Andorra (1-0). Klodian Duro, 32 vjeç, luajti sezonin e kaluar për Apollon Limasol, por klubi qipriot nuk e ka më në planet e tij. Pak ditë më parë u tha se Elbasani i Kategorise Superiore ka gati një ofertë të bujshme, në zarfin e së cilës ndodhen jo pak, por 100 mijë euro, për të siguruar shërbimet e mesfushorit të Kombëtares. Duro njihet për eksperiencën e klasin e tij, dhe në Shqipëri, përveç Elbasanit (skuadrën e parë të tij), Vllaznisë e Tiranës, ka luajtur edhe për pak kohë me Partizanin, ashtu sikundër ka luajtur në Turqi, Gjermani dhe Qipro. Ndërkohë në qendër të merkatos janë edhe dy ish-lojtarë të ekipit Kombëtar. Sulmuesi Alban Bushi, golashënuesi më i mirë historik i Kombëtares (14 gola) dhe mesfushori i majtë, Altin Haxhi, mund të transferohen te skuadra greke Panseraikos. 36-vjeçari Alban Bushi e mbylli sezonin e kaluar te Levadiakos (Greqi), ndërsa 35-vjeçari Altin Haxhi tek Apoel Nikosia (Qipro)./s.s./
KOMENTE