Sport-Speciale/ Bastet Sportive, Problemi Kryesor I Sportit
TIRANË, 5 Qershor/ ATSH- Gjergji Mima/ - Skandali i trukimit apo "lënies" së ndeshjeve, që shfaqet në fushat e futbollit, është një situatë që përsëritet pashmangshmërisht çdo fund sezoni në futbollin shqiptar dhe atë të huaj.
Klube që lënë ndeshjet për të favorizuar një skuadër në renditje; favore që bëhen sot për të marrë një favor tjetër në të ardhmen dhe në fund bastet sportive, që gjithnjë e më tepër po prishin lojën magjike të futbollit, por kjo ndodh jo vetëm në Shqipëri.
Paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri ne 2 vjet burg. Ndërsa kur kjo vepër kryet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë lekë deri në 3 milionë lekë. Futja e kësaj dispozite në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë ka bërë të mundur hetimin për çdo dyshim të trukimeve në sport dhe pritet të parandalojë zhvillimin e fenomeneve shkatërruese në sport, duke ndikuar në zhvillimin e një sporti të pastër dhe larg "këmbëve të pista".
Futbolli zgjidhet më tepër për baste, pasi është sporti më i madh në botë. Janë 38 milionë futbollistë të regjistruar dhe 5 milionë gjyqtarë e zyrtarë në të gjithë botën. Futbolli luhet në të gjithë botën dhe është sporti popullor në shumë vende. Për të dhënë një ide për rritjen e futbollit në Europë, të ardhurat në total në pesë kampionate më të mëdha, Angli, Gjermani, Itali, Spanjë e Francë, arrijnë nga 2.5 miliardë euro në sezonin 1996-1997, 7.9 miliardë euro në sezonin 2007-2008. Në këto kampionate luajnë lojtarët më të mirë në botë. Tregu i futbollit evropian në total arrin në 13.8 miliardë euro, prej të cilave 4.2 miliardë euro shkojnë për pagesat e lojtarëve për vetëm 96 klube të këtyre pesë ligave më të mëdha europiane.
Tregu i futbollit profesionist i është nënshtruar një rritjeje të madhe financiare, falë procesit të komercializimit të tij që nga fillimi i viteve 1990. Paratë e investuara operohen kryesisht nga të ardhurat e të drejtave televizive dhe korporatave investuese. Tregu i punës në futboll për lojtarët profesionistë, kontratat e tyre, transferimi nga një vend në tjetrin, çon edhe transferimin e parasë kesh nga një vend në tjetrin. Futbolli ka ndryshuar filozofinë e tij, nga një sport popullor në një industri globale, me një rritje ekonomike të jashtëzakonshme dhe funksione sociale në nivele të ulëta. Përmes kësaj industrie janë zhvilluar shumë forma kriminale, përfshirë edhe pastrimin e parave.
Alarmi për infiltrimin e organizatave kriminale në botën e futbollit ka ardhur që më parë nga një raport shqetësues i "Financial Action Task Force", organizata ndërkombëtare që fokusohet në evidentimin e trajtimin e pastrimit të parave, e cila shkruan se "po shtohen rreziqet e riciklimit të parave të pista. Vështirësitë ekonomike, mungesa e profesionalizmit të menaxhimit, shumat 'racionale' për financimin e maksi-blerjeve. Pa llogaritur këtu statusin shoqëror që përfiton, duke u vendosur në krye të një klubi. Ja gjërat e padëshiruara që po godasin sektorin e futbollit".
Me rritjen ekonomike të sportit, sidomos në dy dekadat e fundit, veçanërisht në futboll, paraja gradualisht nisi të ushtrojë influencë në botën e sportit. Rasti më i famshëm në vitet e fundit mbi trukimin e ndeshjeve në futboll është skandali në kampionatin italian, që mori emrin "Calciopoli" dhe si nismëtar kryesor kishte drejtorin e përgjithshëm të Juventusit, Luciano Moxhi si dhe krerët kryesor të Federatës Italiane dhe disa arbitra. Gjyqi mbi "Calciopolin" vijon ende në gjykatën e Napolit dhe tashmë fakte të reja, që përfshijnë edhe drejtues të ekipeve të tjera si Inter, Roma dhe Palermo po dalin në dritë.
Ndërsa skuadrat shqiptare janë përfolur sistematikisht vitet e fundit për trukime ndeshjesh, jo vetëm brenda kampionatit vendës, por edhe në arenën ndërkombëtare. Jashtë aludimeve për afera të pista nuk ka mbetur as Kombëtarja shqiptare, e cila shpesh është vënë në qendër të kritikave për rezultate të dyshimta./s.s./