Një histori e rrallë
Në librin që po paraqes më poshtë mësova një histori të rrallë:
Mësuesi Gjet Vocaj nga Malësia e Shkodrës, në vitet 60 zbulon një nxënës me aftësi të të jashtëzakonshme matematike për moshën (vetëm 6 ½ vjeç). Shkruan një artikull për të në”Mësuesi” që tërheq vëmendjen e kryeredaktorit, Bedri Dedja, psikolog dhe shkrimtar i njohur. Ky kërkon ta takojë vetë mësuesin e nxënësin e tij. Lajmi merret vesh nga diktatori i cili kërkon ta takojë mësuesin por jo nxënësin sepse “këtij mund t’i rritej mendja”. Por porosit që me të të merren seriozisht, duke i krijuar disa kushte të veçanta, por edhe duke u kujdesur që ky nxënës i talentuar “të mësojë kush janë anëtarët e Byrosë dhe cila është vija e drejtë marksiste-leniniste e Partisë sonë”.
Ndërkohë, takimi me diktatorin i nxiti autoritetet të “gërmojnë” në biografinë e Gjetës, e cila, si ajo e shumicës së popullit tone, gjithnjë “kishte diçka të dyshimtë”, sepse dikush kish një të afërm jashtë kufijve shtetërorë, dikush kish një të pushkatuar pa gjyq, një të dënuar për agjitacion kundër Pushtetit, apo të internuar, etj. Por Gjetën e lënë të qetë disa vjet, gjithnjë duke e mbikëqyrur, deri sa merret vesh që ky ka pasur dijeni për arratinë e një shoku të vet për në Amerikë. E arrestojnë dhe e dënojnë. Gjeta i përshkruan shumë bukur vuajtjet fizike dhe psikologjike në burgun komunist, duke sjellë edhe fakte shumë interesante nga jeta aty. Pas vitit 1990, më në fund familja e tij (ai, gruaja, dy djemtë, vjehrri e vjehrra) nisën të marrin pak frymë e të përmirësojnë kushtet e jetesës. Madje njëri djalë hap një benzinatë, martohet me një vajzë angleze; Gjeta udhëton jashtë. Por gjatë vitit të mbrapshtë 1997, katër delikuentë të rinj me maska i marrin jetën djalit duke e shtënë familjen sërish në pikëllim. Tragjedia ishte e madhe, por Gjeta nuk e humb toruan. Familja vijon jetën e saj. Madje Gjeta vendos të shkruajë edhe këtë libër. Në të tregon me hollësi për talentin Nikë Çuni që ai kishte zbuluar dhe jetën e tij të mëtejshme. E përgëzoj kolegun tim për kurajën dhe gjithçka na bën të njohur me librin e tij me një titull të qëlluar “Takim fatal me diktatorin”.
Bardhyl Selimi, 4 qershor 2010
Fragmente nga libri
Biblioteka Kombëtare
S330 16F
“Takim fatal me diktatorin”
Gjet Vocaj
Faqe 14
Pyet Bedri Dedja:
-A mundesh me na thanë, Nikë, se sa këmbë shkalle kemi kaluar për të arritur gjer këtu?
Brenda 2-3 sekondash, Nika dha shifrën e saktë, që u vërtetua menjëherë nga Isa Alibali.
I treguan kompasin.
-Përse shërben ky?
Nika e bëri lidhjen logjike duke u mbështetur në ekstremet e asaj vegle që njeri përfundonte me majë e tjetri me shkumës:
-Ky më duket asht me hjekë rrumbullakët mirë..
-Sa vetë jeni në familjen tuaj?-
-11.
-Në se secili konsumon nga treçerek kg bukë sa duhen për tërë familjen?
-Po unë kam një vëlla gjashtë muajsh që nuk han bukë.
-Mirë, po e zëvendësoj unë atë..
-Atëherë duhen 8 kg e një çerek!
Faqe 26
Porosi e diktatorit:
“Kur ai të mësojë si rrotullohet Toka , bëni kujdes që t’i mësoni një çikë përpara për vijën e drejtë marksiste-leniniste të Partisë sonë…
Faqe 27
Vera e vitit 1963. Një psikolog në plazhine Durrësit e pyet Nikën:
-Kemi 10 qirinj të ndezur, dy i fikim, sa qirinj mbeten?
-Mbesin 2 qirinj se të tjerët digjen, shkrihen.
E pyesin:
-Në se rruzulli i tokës do peshonte ta zëmë 700 miliardë tonë, sa do bëhej pesha e tij po të ndërtonim për rreth një mur 40 000 km të gjatë, 1 m të gjerë ku një metër kub peshon 2 tonë?
- Pesha e Tokës veç njaç metet, se gurët me ba murin s’ke ka i merr, veçse prej asaj toke.
Faqe 39
E kush thotë se shqiptarëve u mbaron durimi? A nuk ishim ne ata që shkonim në punë edhe me tre turne, ashtu shpesh të uritur,- me këpucë të stërvjetëruara që na kalbeshin në këmbë, me rroba të arnuara të dala boje, të ngjeshur si sardele në autobuzët rrangallë e të qelbur, apo në biçikleta me kopertona të lidhur me spango e llastiqe, bile edhe më keq akoma, në këmbë, të lagur e të ndragur, për të kursyer edhe trelekëshin e biletës së autobuzit urban për bukën e fëmijëve, dhe duruam aq gjatë?!.
A nuk qemë ne ata që edhe një të dielë, ditën e vetme të javës të ligjëruar për pushim, shpesh nuk e gëzuam, se me detyrim na kërkonin në aksione, ose e shprehur më “bukur”- “punë vullnetare” dhe ne e duruam?!..
A nuk ishim ne ata që ndonëse jetonim në vendin e begatë me klimë mesdhetare, na duhej të prisnim 365 ditë për të lagur fytin me një një fryt, natën e ndërrimit të viteve?!..
Mos ta harrojmë kurrë fshatarin e shkretë, që ndonëse mbillte dhe korrte grurë, hante gjithë vitin bukë misri me qepë e krypë apo domate, shpesh me ujë e sheqer, për t’u mbajtur në këmbë në mes të arës 12 apo 13 orë në pishë të diellit?!..
Faqe 83
Gjimnazistja 16 vjeçare Laura Keçi, kur e pyetën në gjyq, në se kërkonte mëshirë, u përgjigj:
Nuk u kërkohet mëshirë kriminelëve profesionistë që i kanë lyer duart me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm. Ju nuk patët mëshirë për babën tim, Gjeto Keçi, luftëtar në Spanjë dhe më vonë në brigadat partizane kundër okupatorëve nazistë, të cilin e torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe e kalbët në burg gjithë jetën, e do keni mëshirë për mua që e urrej këtë regjim të egër kriminal, të cilin do ta luftoj me ë gjitha format e mundshme, kudo që të jem
Faqe 111
Ish zëvendësministri Vasil Kati tregon se ç’kishte hequr në hetuesinë speciale. Ai thosh se vërtet elektroshoku ishte një tmerr por shumë më e rëndë ishte tortura me arkivol. Mbasi e fusnin personin në të, bëhej shtrëngimi me burma i të gjitha faqeve të tij. Mbyllja ishte thuajse hermetike, por në kapak kishin lënë disa vrima të vogla, sa për të mbajtur jetën me një frymëmarrje të vështirë. Pak sekonda pas shtrëngimit të burmave, kaloje në një gjendje mpirje trupore, të krijohej ideja se ishin mijëra gjilpëra që të shponin pa pushim. Ndërprerja e qarkullimit normal të gjakut nga shtrëngimet e tmerrshme, të krijonin dhimbje torturuese aq të padurueshme, sa i luteshe Zotit që të sillte vdekjen një sekondë më parë.
Faqe 128
Në të njëjtin kapanon, dy të burgosur kishin vuajtur dënimet e tyre për mendime të kundërta për të njëjtin person, për Nikita Hrushovin.
I pari i dënuar më 1959 (me rastin e vizitës ë Hrushovit në Shqipëri) me 10 vjet burg, sepse kish sharë Hrushovin. Isha koha e miqësisë më BS.
I dyti i dënuar më 1962 (pas tri vjetësh) me 10 vjet burg se kish folur mirë për Hrushovin. Ishte koha kur marrëdhëniet me BS qenë prishur dhe kish nisur “muaji i mjaltit” me Kinën.
Paradoksi ishte se i pari vazhdonte të qendronte në burg për sharjen e Hrushovit, kur vetë Enver Hoxha e shante dhe e stërshante Hrushovin çdo ditë.
Faqe 128
Ujku qe vetë diktatori i cili në 17 000 ditët e sundimit të tij absolut, mbi popullin dy milionësh goditi direkt 95 000 familje shqiptare (25 000 të burgosur politikë dhe të ekzekutuar, 70 000 të internuar) që do të thotë gjashtë familje çdo ditë.