Berisha: Investime Madhore Për Të Ndryshuar Jetën E Banorëve Të Fushëkuqes
- Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e rikonstruksionit të plotë të rrugës Autostradë-Plazh Patok dhe takohet me banorë të komunës Fushëkuqe në Kurbin -
TIRANË, 6 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha garantoi dje, banorët e komunës Fushëkuqe, në rrethin e Kurbinit, se "Qeveria do ndërmarrë të gjitha investimet që do të ndryshojnë dhe përmirësojnë me shpejtësi jetën e tyre".
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e rikonstruksionit të plotë të rrugës Autostradë-Plazh Patok, me vlerë investuese 260 milion lekë. Rruga ka një gjatësi 9,5 kilometër dhe gjerësi 8 metra dhe është e ndërtuar sipas të gjitha standardeve moderne bashkëkohore.
Pas përurimit, kryeministri Berisha u takua me banorë të komunës së Fushëkuqes në rrethin e Kurbinit, të cilëve iu uroi rrugën e re dhe i falënderoi për mbështetjen e fuqishme që i japin qeverisë, e cila po bën realitet ëndrrat më të bukura të mbarë shqiptarëve.
"Shfrytëzoj rastin t'u përshëndes shumë përzemërsisht, t'u falënderoj me mirënjohje të thellë për mbështetjen e fuqishme që i keni dhënë dhe i jepni qeverisë dhe qendrës së djathtë, qeverisë së integrimit, e cila po shndërron në realitet ëndrrat më të bukura tuajat dhe mbarë shqiptarëve", tha ai.
Përfundimi i kësaj rruge është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë, tha Kryeministri Berisha, duke siguruar se "brenda vitit 2010, do të asfaltohen të gjitha rrugët që zbresin drejt detit".
"Kjo rrugë lidh Mamurrasin dhe plazhin e bukur të Patokut. Ne zotohemi se do të asfaltojmë brenda 2010 çdo rrugë që zbret drejt detit, nga derdhja e Bunës tek Kepi i Stillos. Ne po shndërrojmë në realitet një premtim të dhënë për të kthyer vendin me sytë nga deti, duke përfunduar korridorin e Kombit, rrugën e Arbrit dhe duke asfaltuar të gjitha rrugët që zbresin drejt detit. Shqiptarët do të kenë malet më të bukura në Evropë dhe brigjet ndër më të pasurat në Mesdhe", tha Kryeministri Berisha.
Duke vlerësuar punën e drejtuesve lokalë të zonës, Kryeministri Berisha u shpreh se "vetëm në qarkun e Kurbinit qeveria ka investuar këto katër vite, më shumë se në 20 vite të marra së bashku". Ai siguroi se "në vitet që vijnë do të ketë investime dhe më madhore".
Kreu i Qeverisë kërkoi nga banorët që pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, të ecin përpara me besimin se Shqipëria do të ndryshojë çdo ditë e më shumë pamjen e saj drejt një Shqipërie tërësisht evropiane.
"Le të vazhdojmë së bashku pavarësisht nga bindjet politike. Sot shqiptarët janë anëtarë të NATO-s dhe shohin vendin e tyre që ndryshon çdo ditë e më shumë. Sot shqiptarë shohin se rrogat dhe pensionet e tyre pavarësisht nga kriza botërore rriten nga viti në vit. Sot ata shohin se investimet e huaja rriten nga viti në vit dhe janë më të sigurt se kurrë se do të lëvizin të lirë në mbarë Evropën", tha Kryeministri Berisha.
Kreministri garantoi se Qeveria do të vazhdojë ndërtimin e rrugëve, të ujësjellësve, kanalizimeve dhe do të vazhdoje mbështetjen për fermerët shqiptarë. "Do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe rindërtojmë shkollat për fëmijët tanë, qendra shëndetësore dhe spitale. Do të vazhdojmë të ndërtojmë tullë pas tulle me lumenj djerse Shqipërinë evropiane", tha ai.
Komuna Fushëkuqe është një zonë bregdetare e rrethit Kurbin, mes lumit Mat dhe Ishëm dhe ka rreth 8 600 banorë. Me një vijë bregdetare rreth 20 km, Komuna Fushëkuqe dallohet për inertet e lumit Mat, por edhe si një zonë e pasur bujqësore. Ajo spikat për ujin e pijshëm që furnizon me ujë edhe qytetin e Kavajës. Kohët e fundit kjo lagunë ka filluar të frekuentohet shumë nga pushues kryesisht ditorë./m.m//a.ke/
-
Tahip Lala16:47 - 11 Prill 2011Rrnofsh sa malet e Tropojes,o Sali Berisha