Patok, 6 qershor, NOA Update – Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se shqiptarët janë të sigurt se do të lëvizin shumë shpejt pa viza në Europë. Në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të plotë të rrugës Autostradë-Plazh Patok, kreu i qeverisë u shpreh se mazhoraca do t’i realizojë premtimet e saj për t’ua bërë më të mirë jetën qytetarëve.
Berisha kërkoi mbështetjen e qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike për të mundësuar realizimin e ëndrrave europiane.
“Ndaj të dashur qytetarë dhe qytetare, le të vazhdojmë së bashku pavarësisht nga bindjet politike. Sot shqiptarët janë anëtarë të NATO-s. Sot shqiptarët shohin vendin e tyre që ndryshon çdo ditë e më shumë. Sot shqiptarë shohin se rrogat dhe pensionet e tyre pavarësisht nga kriza botërore rriten nga viti në vit. Sot shqiptarët shohin se shkollat e fëmijëve të tyre ndërtohen nga viti në vit. Sot ata shohin se investimet e huaja rriten nga viti në vit. Sot ata janë më të sigurt se kurrë se do të lëvizin të lirë në mbarë Evropën”, tha Kryeministri Berisha.
Në takimin me banorë e komunës së Fushëkuqes, në rrethin e Kurbinit, Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që i kanë dhënë mazhorancës aktuale. Nga ana tjetër ai theksoi se qeveria vazhdojë ndërtimin e rrugëve, të ujësjellësve dhe kanalizimeve.
“Sot ne inaugurojmë rrugën e re që çon në plazhin e Patokut , me një investim prej 260 milion lekë, rreth 9, 8 km e gjatë. Vetëm para një jave inauguruam rrugën që çonte në plazhin e Spillesë 15 km të gjatë. Një muaj më parë inauguruam rrugën që çon në plazhin e Tales. Edhe ajo rreth 14 deri në 15 km e gjatë, pra në po shndërrojmë në realitet, një premtim të dhënë për të kthyer vendin me sytë nga deti dhe kjo pas përfundimit të korridorit të Kombit, pas përfundimit në ditët që vijnë të rrugës së Arbrit, pas asfaltimit të të gjitha rrugëve që zbresin drejt detit shndërrohen në një realitet të papërmbajtur. Shqiptarët do të kenë malet më të bukura në Evropë dhe brigjet ndër më të pasurat në Mesdhe”, tha Berisha.
m.xh/NOA