English

Durres: Nga Autostrada Tirane-Durres, Rruge Te Reja Drejt Bregdetit

DURRES, 6 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Rrugët nacionale të qarkut të Durrësit po lidhen intensivisht me zonat bregdetare, duke u kthyer në një burim zhvillimi turistik për bashkitë dhe komunat me dalje në det. Plazhi tradicional nga ura e Dajlanit deri në përroin e Agait, atje ku ndahen rrethi i Durrësit dhe i Kavajës, tani "konkurohet" nga plazhet e tjerë që shtrihen kryesisht në bregdetin prej 25 km në gjiun detar të Lalzit dhe ku ndodhen fshatrat e komunave të Katundit të Ri dhe Ishmit si dhe ato të bashkive të Sukthit dhe të Manzës. Kryetari i këshillit të qarkut, Seid Kërtusha, tha për ATSH-në se pas përfundimit të tre rrugëve, që nga autostrada Tiranë-Durrës i drejtohen plazheve të rinj, tashmë po punohet për ndërtimin e dy segmenteve të rinj, që i drejtohen bregdetit nga Xhafzotaj dhe Bubqi (Krujë). Financimi i përgjithshëm i këtyre rrugëve arrin në 5 milion euro dhe përveçse shkurton kohën dhe kushtet e udhëtimit nga qendrat e banuara drejt plazheve të panjohura në veri të qarkut, u jep vlerën e merituar trojeve dhe tokave bujqësore në komunat e Katundit të Ri dhe Ishmit, dy nga pesë njësitë admnistrative me dalje në bregdet, u shpreh kryetari i këshillit të qarkut. Sipas Kërtushës, rruga me gjatësi 10.5 km me gjerësi 7 metra që lidh autostradën Durrës-Tiranë me fshatin bregdetar të Fllakës, 16 km në veri të Durrësit, po ndërtohet me një financim të përbashkët prej 2.7 milion euro nga buxheti i Qarkut, qeveria shqiptare dhe Fondi shqiptar i zhvillimit (FSHZH). Rruga e re do të jetë gati në shkurt të vitit të ardhshëm dhe i shtohet segmenteve rrugorë që janë vënë në shfrytëzim gjatë tre viteve të fundit Spitallë-Shën Vlash-fshati Rinia dhe Maminas-gjiu detar i Lalzit. Ndërkaq, një tjetër segment i rëndësishëm në proçes ndërtimi është ai i që lidh Bubqin, 3 km larg Fushë Krujës, me Ishmin, shtoi kryetari Kërtusha. Vlera e këtij investimi që ndjek rrugën kodrinore nëpërmes fshatrave Gjuricaj, Kapidanaj e Shkafane deri në zonën turistike të Shën Pjetrit në pjesën veriore të gjiut të Lalzit, arrin në 2.7 milion euro. Ai thotë se me përfundimin e këtyre rrugëve krijohet mundësia që turistët dhe pushuesit të zgjedhin plazhet e tjera të Qarkut, pa u kushtëzuar nga mungesa e infrastrukturës. Qarku i Durrësit ka 61.8 kilometra vijë bregdetare nga kepi i Rodonit në veri e deri tek "Përroi i Agait" në jug. Vetëm gjatë verës së kaluar, në plazhet e tij të reja në Shën Pjetër, fshatin Rinia dhe në grykëderdhjen e Erzenit, llogariten mesatarisht rreth 13 mijë pushues në ditë. Gjatë pesë viteve të fundit, investimet në rrugët që i drejtohen detit kalojnë shifrën prej 20 milion euro. /a.ke/
KOMENTE