English

Dy javë ballo me maska

Dy javë pas mbylljes së grevës dhe darkës së Strasburgut, krizën duhet ta zgjidhin jo më socialistët, duke hyrë në Kuvend apo duke pranuar ofertat e Qeverisë, por të gjithë bashkë. Pra, e thënë ndryshe, të gjithë janë fajtorë dhe përgjegjës për krizën politike

Nga Skënder Minxhozi Komisioneri i Zgjerimit Fyle është treguar hermetik pardje, kur ka refuzuar të komentojë djegien e afatit dyjavor të vendosur në Strasburg për zgjidhjen e krizës politike shqiptare. Ai është mjaftuar të thotë se topi vijon të mbetet në anën tonë. Një pakënaqësi e lexueshme për mënyrën sesi u harxhuan në Tiranë 15 ditë kohë, që mund t’i kishin dhënë fund një sherri dhjetëmujor. Ky dyjavësh ka qenë sezoni i radhës i maskave në jetën politike të Tiranës. Të gjithë në mazhorancë, me në krye Kryeministrin, kanë bërë sikur s’ka ndodhur gjë, sikur s’kanë parë gjë, sikur s’kanë dëgjuar gjë dhe që për pasojë, sikur s’ndjejnë asnjë nevojë që të bëjnë diçka nga ajo që kanë bërë dhjetë muaj rresht. Pra, që të mos bëjnë asgjë! Darka në Strasburg? Një ftesë informale! Ultimatumi dyjavor? Një fantazi e sëmurë e opozitës! Formula e ofruar për zgjidhjen e krizës? Inekzistente! Në këtë mënyrë ka blerë Qeveria jonë dy javë kohë, në pritje dhe me shpresë se treni i vizave vazhdon të ecë gjithsesi drejt stacionit të lodhur shqiptar. Berisha nuk ka çeduar askund në këto dy javë. Ai ka shitur për kompromis kolapsin dhjetëmujor dhe për gatishmëri të tijën qëndrimin e palëvizshëm të nenit 178 të Kodit Zgjedhor, që flet për djegie fletësh votimi, në mesin e një debati sfilitës që hedh dyshim pikërisht mbi fletët e votimit. S’mund të mos thuash se zoti Berisha e luan mirë blofin, sidomos kur llogaritë që ai bën, marrin parasysh disa prioritete të cilat, nëse realizohen, do t’ia vlejnë edhe imazhin e keq që po merr mbi vete, edhe presionet e shtuara të ndërkombëtarëve, edhe koston politike brenda vendit. Berisha mbajti këto dy javë një profil të ulur deklarimesh publike ndaj kundërshtarëve të tij kryesorë, duke u përpjekur ndërkaq që të krijojë thuajse përditë situata dhe ngjarje që duhet të tërhiqnin vëmendjen publike. Ai akuzoi publikisht Ramiz Alinë për një masakër të 60 vjetëve më parë, apo u mor me shtëpinë e Myslym Pezës që e kishin harruar të gjithë. Qëllimi, fare i thjeshtë: të zhvendosej vëmendja nga debati për krizën zgjedhore. Për muaj me radhë, shumica është përpjekur ta shesë ofertën e saj për t’i dhënë opozitës shumicën në komisionin hetimor për zgjedhjet, si një “paketë” kompromisi. Një paketë e çuditshme që ka brenda vetëm një rresht! Sepse kur sheh pjesën tjetër të produktit të këtij kompromisi të habitshëm, vëren se gjithçka tjetër nuk ofrohet nga Sali Berisha për Edi Ramën, por nga ligji për cilindo banor të këtij vendi. Nuk mund të ketë një kompromis që ngrihet thjesht dhe vetëm mbi atë që të ofron ligji. Një e drejtë e fituar në bazë të ligjit, nuk përbën në asnjë rrethanë kompromis, por vetëm një standard që ta ka dhënë ligjvënësi dhe që ti e gëzon ashtu si çdo shtetas tjetër. Ka pasur një tendencë deklarimesh nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka dëshmuar qartë se me kalimin e kohës kauza e transparencës nisi të fitojë terren mbi atë të kushtetutshmërisë, nëse përdorim simbolikisht dualizmin e termave që janë krijuar tashmë në debatin politik. Gradualisht edhe socialistët europianë, edhe Fyle, edhe ambasadorët në Tiranë e kanë spostuar goditjen nga greva e urisë dhe kreu i opozitës, tek një trajtim i baraslarguar i palëve. Kjo ka ndodhur, siç duket, edhe për shkak të sulmit publik që Berisha i bëri ambasadorit të OSBE’së, në momentin që ai i ftoi krerët politikë ta hidhnin firmën mbi marrëveshjen që kishin përpara. Tashmë, dy javë pas mbylljes së grevës dhe darkës së Strasburgut, krizën duhet ta zgjidhin jo më socialistët, duke hyrë në Kuvend apo duke pranuar ofertat e qeverisë, por të gjithë bashkë. Pra, e thënë ndryshe, të gjithë janë fajtorë dhe përgjegjës për krizën politike. Qeveria pret dy zhvillime në javët që vijnë, të cilat mund ta influencojnë jo pak ecurinë e krizës, të procesit të liberalizimit të vizave dhe përgjithësisht të garës politike me opozitën. I pari është një lajm i keq, i dyti mund të quhet i mirë. Gjithnjë sipas syzeve të Berishës. Më 1 korrik, Belgjika merr presidencën e radhës të BE’së. Një lajm padyshim i keq jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Bosnjën. Belgjika është njëra ndër vendet skeptike sa i përket idesë së zgjerimit të hapësirës Shengen dhe përgjithësisht të klubit të BE’së me anëtarë të rinj. Gjatë gjithë gjysmës së parë të këtij viti, kur Serbia dhe Maqedonia fituan të drejtën e lëvizjes pa viza në Europën e Bashkuar, Belgjika ka qenë vendi që e ka ngritur fort zërin kundër valës së vizitorëve të rinj që vinin nga këto dy vende dhe që kishin më shumë status azilkërkuesi, sesa turisti. Pra, nuk përbën sekret një disponim negativ në parim i këtij vendi ndaj idesë së heqjes së vizave në këtë moment për shtete si Shqipëria dhe Bosnja. Lajmi i dytë mund të quhet i mirë. Trupi diplomatik në Tiranë do të pësojë, në fillim të vjeshtës, disa ndryshime të pritshme dhe jo të parëndësishme. Tre nga ambasadorët kryesorë ndodhen tashmë në hapat e fundit të mandatit të tyre diplomatik dhe ndoshta do ta lënë Shqipërinë pas sezonit veror. Këta tre titullarë kanë pasur më shumë se një problem të hapur me zotin Berisha dhe Qeverinë e tij. Të paktën kështu është përjetuar nga vetë Qeveria lista e kritikave që këta diplomatë, dhe të tjerë si ata, kanë bërë kohë pas kohe për zhvillimet politike, funksionimin e institucioneve dhe krizat e herëpashershme që ka kaluar vendi. Këto dy elemente pritet të krijojnë një ambient të modifikuar diplomatik rreth krizës shqiptare. Natyrisht, asgjë spektakulare s’pritet të ndodhë, por në rastin e një vendi të vogël si Shqipëria, i ndodhur rregullisht në periferi të vëmendjes ndërkombëtare, edhe detajet kanë nganjëherë një rëndësi jo të vogël. Ultimatumi, nëse ka patur vërtet një të tillë, tashmë mbaroi. Do të duket se sa kategorik ka qenë nga reagimi i ardhshëm i europianëve dhe amerikanëve. Nëse efektet e tij prekin vetëm procesin e statusit të vendit kandidat, nuk paska qenë një ultimatum i vërtetë, por thjesht një tërheqje veshi. Nëse pasojat e kësaj shkeljeje afati do të prekin apo do të kushtëzojnë edhe procesin tjetër, atë të liberalizimit të vizave, atëherë do të vërtetohet se darka e Krokodilit paska qenë realisht një “pengmarrje” e stilit europian. Ky variant i dytë është ëndrra më e keqe e Qeverisë. Por që mund ta largojë tutje vetë Qeveria.

KOMENTE