English

Erdogan: Turqia Do Të Vazhdojë Përpjeke Të Pandalshme Deri Në Heqjen E Bllokadës Në Gaza

ANKARA, 6 qershor /ATSH-AFP/ - Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj të pandalshme deri në momentin që Izraeli të heqë bllokadën nga Rripi i Gazës, deklaroi sot kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan. Shefi i qeverisë turke i thelloi kritikat e tij kundrejt Izraelit, dikur një aleat i afërt i Turqisë në rajon, pas sulmit të përgjakshëm të komandove të marinës izraelite, më 31 maj kundër një flotiljeje propalestineze me destinacion Gazën, nga i cili nëntë shtetas turq, ndër të cilët një turko-armen, kanë humbur jetën. Gaza "për ne përbën një çështje historike. Do të kundërshtojmë këdo që e detyron popullin e Gazës së jetojë në një burg të hapur", deklaroi ai gjatë një fjalimi publik në qytetin Bursa, në veriperëndim të Turqisë. "Do të jemi të vendosur deri në momentin kur bllokada në Gaza të hiqet, deri kur të ndalin masakrat dhe terrori dhe lemeria aktuale në vend të konsiderohen si të tilla", theksoi Erdogan, ku i bëri thirrje Izraelit dhe palestinezëve të angazhohen seriozisht në tratativat dhe bisedimet për paqe. Izraeli ka vendosur një bllokadë në Rripin e Gazës, nga i cili përjashtohen vetëm prodhimet e konsumit parësor, në përpjekje për të detyruar Hamasin, që aktualisht kontrollon territoret palestineze të Rripit të Gazës, të ndalojë sulmet me raketa në jug të shtetit hebre./ /i.p/
KOMENTE