Prishtinë, 6 qershor, NOA - “Hekurishtja” e Burim Halitit dhe “Gruaja e veshur në të zeza” me regji të Besim Ugzmajlit, janë filmat që do të përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër, i cili mbahet në qytetin Ebense të Austrisë.
Regjisorët kosovarë do të garojnë për çmimet e festivalit, i cili nis rrugëtimin më 13 të këtij muaji dhe gjatë shtatë ditëve do të jetë nikoqir i filmave nga vende të ndryshme të botës.
“Festivali i Kombeve” këtë vit shënon edicionin e 38-të me radhë dhe është një nga festivalet më prestigjioze për film të metrazhit të shkurtër që mbahen në shtetin austriak.
Përveç regjisorëve nga Kosova, për gjashtë çmimet e “Festivalit të Kombeve” (tri vendet e para, çmimi special për filmin më të mirë, çmimi për filmin eksperimental dhe “Ebenseer Bear”), do të “luftojnë” edhe regjisorë nga Gjermania, Spanja, Australia, Italia, Kroacia, Franca, Belgjika, Rusia etj.
NOA