English

Gruevski: Rasti i Sopotit është çështje e gjykatave

Shkup, 6 qershor, NOA - Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka theksuar se rasti i Sopotit është një rast i gjyqësorit dhe se ai nuk mund të deklarohet rreth tij.

Gruevski, i pyetur dje se si i komenton deklarimet që vijnë nga partneri i koalicionit BDI për sinjale pozitive nga Gjykata Supreme për rastin e Sopotit, u përgjigj se “unë nuk jam i informuar për këtë tezë tuajën, vetëm e di se ky është një rast gjyqësor që zgjidhet nëpërmjet kanaleve gjyqësore”, ka theksuar Gruevski.

Nga BDI kanë bërë të ditur se rasti i Sopotit pritet të marrë vendim pozitiv që të kthejë në rigjykim këtë rast që ndodhi në vitin 2003, për të cilën u ngarkuan si fajtorë banorë lokal të fshatit Sopot të Kumanovës, një vepër që u cilësua tërësisht e montuar politikisht pas dëshmive të faktuara nga një komision parlamentar.

Komisioni parlamentar për verifikimin e fakteve rreth këtij rasti i përbërë nga të gjitha partitë politike, përveç PDSH-së, ka nxjerrë dëshmi dhe fakte të reja lidhur me rastin, duke i rekomanduar gjyqësorit përsëritjen e procesit gjyqësor, për shkak të shkeljeve të procedurës gjyqësore, dhunës ndaj të burgosurve dhe duke cilësuar se bëhet fjalë për një rast të montuar politik.

Mbi 12 banorë të fshatit Sopot janë dënuar me mbi 160 vite burg, për shkak të incidentit që ndodhi në vitin 2003, ku nga shpërthimi i një mine në afërsi të fshatit humbën jetën dy ushtarë polak të NATO-s dhe dy persona civil, që gjendeshin në një mjet transportues ushtarak.

m.xh/NOA/INA

KOMENTE