English

"Koleksioni I Përhershëm", Premierë Në Teatrin Kombëtar

TIRANË, 6 Qershor/ATSH- Suada Daci/- Premiera 2- gjuhëshe (shqip dhe anglisht) "Koleksioni i përhershëm", me autor Thomas Gibbons, është shfaqur mbrëmë në Teatrin Kombëtar. Me regji të regjisorit të njohur amerikan, Clarense Gillyard dhe aktorit Mirush Kabashi, dhe një kaste të njohur aktorësh të skenës shqiptare si, Mirush Kabashi, Fatos Sela, Tinka Kurti, Ema Andrea, Esmeralda Metka dhe vetë regjisori Gillyard, pjesa duket se ia arriti qëllimit. E përkthyer në shqip nga Pirro Dollani, me skenografi nga Bashkim Zahaj, i cili rikthehet pas 20 vitesh në TK, kostumografi nga Edlira Qyshka, shfaqja u mbështetet nga Ambasada Amerikane në Shqipëri. I njohur për rolet e shumta në Hollivud, regjisori Clarense Gillyard, pedagog në universitetin e Nevadës në Las Vegas, vite më parë ka interpretuar në filma të njohur të kinematografisë botërore. Ai vjen për herë të parë në Shqipëri dhe vepra "Koleksioni i Përhershëm", që u ngjit dje në skenën e TK do të jetë e fundit për këtë sezon artistik. Drama e Thomas Gibbonsit "Koleksioni i Përhershëm" është premiera e katërt e sezonit artistik 2010 e Teatrit Kombëtar. Përgjatë 90 minutave të premierës "Koleksioni i Përhershëm", u trajtuan çështje dhe probleme që lidhen me shoqërinë, pushtetin, vlerat, integritetin dhe frikën. Në skenë u dhanë imazhe të veprimeve në muzetë të vizituara nga qindra njerëz nga të gjithë sferat e jetës, që shprehin opinione të menjëhershme e të ndryshme ose te panjohura për ta ose për njerëzit e tjerë në kohëra të ndryshme. /a.ke/
KOMENTE