English

Kosovë - Ahtisaari: Paketa Është Për Tërë Territorin, E Jo Për Ndarje

PRISHTINË, 6 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Ish-emisari special i OKB-së, kryenegociatori për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, vlerëson implementimin e Paketës së tij, e cila, siç thotë ai, është bërë për tërë territorin e vendit e jo për ndarje. "Mendoj se implementimi i Paketës sonë po lëviz përpara, siç është edhe planifikuar në fillim", deklaroi Ahtisaari në një intervistë sonte në mbrëmje në Televizionin e Kosovës. I pyetur lidhur me problemet në veriun e vendit, Ahtisaari tha se "ato ende janë ashtu siç kanë qenë", duke shtuar se "vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për Statusin e Kosovës, që do të bëhet i ditur shumë shpejt, shpresoj se do të qartësojë situatën edhe në atë pjesë". "Kjo çështje është shumë e qartë. Plani, të cilin e kemi përgatitur është bërë për tërë territorin e Kosovës e jo për ndarje, dhe kjo do të materializohet", shprehu besimin Presidenti Ahtisaari. Ahtisaari u shpreh i kënaqur që Kosova tani është edhe pjesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. "Po ashtu shpresoj që shumë shpejt Kosova do të bëhet edhe anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim", tha z. Ahtisaari, duke shtuar se ekonomia është segmenti më i rëndësishëm dhe Kosova duhet të përqëndrohet në këtë drejtim./s.s./
KOMENTE