Durrës, 6 Qershor, NOA - “Tango”, tragjikomedia më e bukur, kryevepra e novelistit Slawomir Mrozek, do të dëfrejë këtë të djelë në mbrëmje në teatrin “Aleksandër Moisiu”, dashamirët e artit në qytetin bregdetar.
E inskenuar nga regjisorja Driada Dervishi kjo pjesë përcjell dramën e individit brenda familjes dhe shoqërisë ku jetojmë.
I fokusuar në këtë bërthamë të rëndësishme të shoqërisë siç është familja, autori Slawomir Mrozek na rrëfen dramën e Arturit, një idealist i thekur, që interpretohet nga Nik Xhelilaj.
Me idealizmin e tij, Arturi merr përsipër të ndryshojë mendësinë e shoqërisë që e rrethon, pasi jeton brenda një bote krejtësisht e ndryshme nga e vetja, e cila është pikërisht familja e tij.
Protagonisti duke qenë kundër degjenerimit të shoqërisë ai i futet punës që të rikthejë në vëmendjen e përditshme të jetës, traditën, dhe pikënisja është pikërisht vatra e tij familjare.
Duke qene një tragjikomedi ajo përfundon me vdekjen e personazhit, Artur.
“Tango”, e cila rikthehet në repertorin e teatrit të Durrësit pas premierës së saj të Tetorit, do të ngjitë sërish në skenë aktorët Nik Xhelilaj, Xhelal Tafaj, Hysen Bashhysa, Sanie Hoti, Eralda Çaushi, Marvin Tafaj dhe të mirënjohurën Aishe Stari.
m.s.mit/NOA