English

Pd: Në 1 Korrik, Rritja Më E Madhe E Rrogave Dhe Pensioneve

TIRANË, 6 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Partia Demokratike hodhi poshtë sot deklaratat e PS-së se financat e vendit janë në krizë, duke theksuar se "më 1 Korrik 2010, qeveria do të realizojë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në Shqipëri dhe Europë". Duke reaguar ndaj deklaratës së nënsekretarit për programin në PS, Ervin Bushati, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, deklaroi se "PS po i bie sirenave të krizës dhe zisë ekonomike, por është vetë në krizë". "Në krizë të thellë dhe të pashpresë janë ata dhe jo biznesi shqiptar që në 4 muajt e parë të këtij viti regjistroi 7500 biznese të reja kundrejt 5300 që u regjistruan katër muajt e parë të vitit 2009", tha Mëhilli. Sipas saj, "ekonomia e tregut të lirë regjistron në 5 muajt e parë të këtij viti një rritje të eksporteve "Made in Albania" nga 11 miliardë lekë që ishin në 5 muajt e parë në vitin 2009 në 30 miliardë lekë, duke shënuar rritjen më të madhe të eksportit në tërë historinë e vendit dhe rritjen më të madhe në Europë. "Bankat dhe krediti shqiptar kanë një rritje prej 14% të depozitave dhe kanë rritur kredinë këto muaj me 8%", tha Mëhilli. /a.ke/
KOMENTE