Përmbledhje - Slloveni - Referendum Për Mosmarrëveshjen Kufitare Me Kroacinë
LJUBJANË, 6 qershor /ATSH-AFP/ - Rreth 1,7 milionë zgjedhës sllovenë votojnë sot lidhur me një procedurë arbitrazhi ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes kufitare me Kroacinë që vazhdon që prej rreth 20 vjetësh, në një referendum, që, sipas sondazheve, ka përfundim të pasigurt.
Kjo mosmarrëveshje, lidhur me disa kilometra brigjesh dhe disa milje detare në Detin e Adriatikut, në gjirin Piran, në një kuadër hyrjeje të drejtpërdrejtë në Detin e Sllovenisë, i ka penguar ambiciet evropiane të Zagrebit: Sllovenia, një nga vendet e para ish-komuniste e anëtarësuar në Bashkimin Evropian në vitin 2004 kërkon që mosmarrëveshja të zgjidhet përpara integrimit të Kroacisë në BE, për të cilën Zagrebi shpreson të arrihet në vitin 2012.
Parlamentet e të dy vendeve e kanë miratuar përdorimin e një arbitrazhi ndërkombëtar, por Ljubjana vendosi t'ia nënshtrojë këtë çështje një referendumi.
Pjesëmrrja ishte 15,25 për qind në orën 09:00 GMT. Rekordi i pjesëmarrjes në një referendum në Slloveni është arritur në mars të vitit 2003 kur 60 për qind e zgjedhësve votuan në referendumin për anëtarësimin në BE dhe NATO. Në të njëjtën orë në atë kohë kishin votuar 18,31 për qind të zgjedhësve. Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 17:00 GMT dhe rezultatatet e para priten rreth orës 18:30 GMT.
Pasi votoi në Sempeter, në lindje, kryeministri socialist, Borut Pahor, shprehu besimin se bashkëqytetarët do të shprehen për "po"-në në mënyrë që "qeveria të përqendrohet tek e ardhmja dhe jo tek e shkuara". Sipas tij, një fitore e "jo"-së do të dëmtonte cilësinë e marrëdhënieve me fqinjin kroat.
Nëse fiton "po"-ja, instanca ndërkombëtare e arbitrazhit, ide e hedhur nga BE-ja, do të mund të fillojë punimet. Nëse fiton "jo"-ja, parlamenti slloven do të duhet të presë 12 muaj përpara se ta marrë përsëri në shqyrtim këtë referendum për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Si qeveria e Borut Pahor dhe kryetari i shtetit, Danilo Turk, i cili gjithashtu bëri thirrje për të votuar për "po"-në, do të dilte e dobësuar nga kjo. Perspektiva e anëtarësimit të Kroacisë në BE do të pësonte gjithashtu një bllokim serioz.
Sondazhet e fundit të autorizuara, publikimi i të cilave është i ndaluar gjatë javës që paraprin votimin, tregojnë paqartësi lidhur me përfundimin e votimit: sipas një sondazhi të publikuar nga e përditshmja "Dnevnik", 37,6 për qind e zgjedhësve do të votojnë kundër marrëveshjes dhe 37 për qind do ta aprovojnë atë. Një sondazh tjetër në të përditshmen "Delo" parashikon që 50,7 për qind e sllovenëve të votojnë për "po"-në dhe 36,1 për qind për "jo"-në.
Mosmarrëveshja, që vazhdon që prej pavarësisë së dy ish-republikave jugosllave, ka të bëjë kryesisht me vijën e demarkacionit të kufirit të tyre detar dhe tokësor në gjirin Piran, në bregdetin e Adriatikut dhe në veçanti me çështjen e një hyrjeje të drejtpërdrejtë në det për Slloveninë.
/I.Pu.