English

Profil - Elbasan: Nje Jete Me Sportin

ELBASAN, 6 Qershor/ATSH- Miranda Sadiku/.- Për 11 vjet ne fushen e lojes në vitet 1950- 1960 në pozicionin e mbrojtësit dhe mesfushorit, Ferdinand Shingjergji, sot në moshën 70-vjeçare ndjehet krenar, që arriti të kontribuojë për futbollin në qytetin e tij të lindjes. Pikërisht ditën e sotme, mes veteranësh, miq të futbollit dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal, ai ka festuar 70-vjetorin e lindjes së tij, ku Bashkia e Elbasanit e ka vlerësuar me titullin Mirënjohja e Qytetit, me motivacionin "Për kontributin e dhënë në fushën e futbollit". Gjatë një bashkëbisedimi, Ferdinandi i kujton me nostalgji ato vite të rinisë së tij, ku arriti të ngrejë lart ekipin e Elbasanit. Por nuk le pa përmendur edhe vështirësitë që haste ekipi në ato vite. "Të luash futboll duhet të plotësosh tre komponentët kryesorë, fushën, që ne s'e kishim, ne nuk kishim këpucë që është elementare për të luajtur futboll si edhe fanellat. Por, gjithsesi ne fitonim, kemi qenë një brez shumë i motivuar me një dëshirë për të luajtur duke e ngjitur Elbasanin në një shkallë të kënaqshme në shkallë vendi", thotë Ferdinandi. Ai shton se "nga dëshira për të luajtur me shumë sakrifica ne e bëmë Elbasanin ekip të njohur", e ndërsa sheh lojtaret e ekipit të Elbasanit sot, ai shprehet se "nëse do të isha edhe një herë i ri, me këto kushte që ka sot sportisti, është gjynah të mos japësh maksimumin, për të rritur ekipin në kampion. Do të kisha luajtur me dëshirë të madhe dhe jam i sigurtë se ashtu si unë edhe 11-teshja sportive e viteve '50-60 do ta çonim Elbasanin kampion të superligës". Ferdinandi i mban mend mirë vitet kur nisi të luajë futboll. "Nisa të luaja futboll me shokët e lagjes sime dhe kur punoja në Parkun Automobilistik, u aktivizova me skuadrën e ndërrmarjes në kampionatet lokale ndërmjet ndërrmarjeve dhe qendrave të punës. Ishte trajneri Shefqet Lamçe ai që më inkuadroi me ekipin e futbollit të moshës deri në 18 -vjeç", thotë ai. Ka qenë viti 1957 ku Ferdinandi do të spikaste si mesfushor duke ndihmuar shumë herë skuadrën e ekipit të tij. Kapiteni i tij, Hyqmet Krati, i pranishëm në ditëlindjen e mikut të tij, kujton se ishte viti 1959 kur Ferdinandi hyri mesfushor në ekipin e të rriturve. "Futbollisti me trup të lidhur, muskuloz, u prit mirë në ekipi i të rriturve që drejtohej nga trajneri Sabri Peqini. Ai nuk ndahej lehtë nga futbolli, i ishte futur në gjak ky lloj sporti", thotë Hyqmeti. Në vitin 1969, Ferdinandi merr drejtimin e ekipit Shpresa deri në vitin 1974, ku ekipi arrin të zërë vendin e dytë në dy kampionate rrjesht. Më pas ai u aktivizua si trajner i ekipit të Elbasanit, deri kur doli në pension. Edhe pse mosha ka bërë të vetën Ferdinandi merr pjesë në çdo aktivitet apo ndeshje sportive në qytet. Ndërsa në vitin 1996, me vendim të Federatës Shqiptare të Futbollit, është nderuar me titullin " Mjeshtër Sporti" ndërsa dhjetë vjet më parë Bashkia e Elbasanit e nderoi me çertifikatën " Nderi i Qytetit". Sot ai ndjehet i lumtur teksa sheh sportistët e rinj, të cilët luajnë me zell dhe dëshirojnë që Elbasani të jetë gjithnjë kampion. Ndërsa nuk mundi që djali i tij të bëhej sportist, ai dëshiron që një nga nipërit e tij të ngrejë lart emrin e familjes Shingjergji në vitet që do të vijnë në fushën e futbollit elbasanas. /a.ke/
KOMENTE