Qipro - Papa Kërkon Një Përpjekje Urgjente Për Shmangien E Tragjedive Në Lindjen E Mesme
NIKOZI, 6 qershor /ATSH-AFP/ - Papa Benedikti XVI bëri sot thirrje në Qipro për nxitjen e paqes në Lindjen e Mesme, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar një "përpjekje urgjente dhe të përbashkët për zgjidhjen e tensioneve në rajon në mënyrë që ato të mos çojnë në "tragjedi të mëdha".
"E përsëris thirrjen time personale për një përpjekje ndërkombëtare urgjente dhe të përbashkët për zgjidhjen e tensioneve aktuale në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Tokën e Shenjtë, përpara se konflikte të tilla të çojnë në tragjedi më të mëdha", deklaroi Benedikti XVI gjatë një meshe të mbajtur në një qendër sportive në Nikozi ndërkohë që tensioni në rajon është rritur pas sulmit izraelit kundër një flotiljeje humanitare propalestineze që shkaktoi nëntë të vdekur të hënën.
Papa i bëri homazh gjithashtu kryetarit të Kishës katolike të Turqisë Imzot Luigi Padovese i vrarë të enjten me thikë nga shoferi i tij në Turqi, një tragjedi që "nuk do ta pengojë dialogun" me islamin, është shprehur ai të premten.
Përpara se t'u jepte zyrtarisht dokumentin e punës së sinodës për Lindjen e Mesme e planifikuar në tetor në Vatikan, zyrtarëve të mbledhjes, Papa bëri të ditur gjithashtu se "lutet" që punimet e kësaj asambleje të ndihmojnë "në përqendrimin e vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar në situatën e të krishterëve të Lindjes së Mesme të cilët vuajnë për shkak të besimit të tyre, për gjetjen e zgjidhjeve të drejta dhe të qëndrueshme për konfliktet që shkaktojnë kaq shumë fatkeqësi".
Duke e vënë gjithashtu theksin në "provat e rënda që kanë kaluar të krishterët e rajonit dhe nërolin e tyre të paçmuar", Papa Benedikti XVI shprehu besimin se "të drejtat e tyre do të respektohen gjithmonë e më shumë, përfshirë të drejtën për lirinë e kultit dhe të fesë" dhe se ata "nuk do të vuajnë më asnjëherë nga diskriminime të çdo lloji".
Sinoda (shën. i përkth.asambleja e peshkopëve e thirrur nga papa për probleme të përgjithshme të Kishës katolike) është një rast për ta vënë theksin në vlerën e madhe të pranisë dhe dëshmisë së krishterimit në vendet e Biblës, jo vetëm për komunitetin e krishterë në shkallë botërore, por edhe për fqinjët dhe bashkëqytetarët tanë", u shpreh Benedikti XVI.
"Ju dëshironi të jetoni në paqe dhe në harmoni me fqinjët tuaj hebrenj dhe myslimanë. Shpesh, ju veproni si artizanë të paqes në procesin e vështirë të pajtimit", theksoi Papa Benedikti XVI, i cili kërkon me ngulm "t'i nxisë këta besimtarë që banojnë në vendet ku lindi dhe u rrit besimi".
/I.Pu.