English

Sfilon botërori, bikini, syze, çanta e këpucë me flamujt kombëtarë

Tiranë, 6 Qershor 2010, NOA/ Irma Toptani – Kur vetëm pak ditë na ndajnë nga revanshi botëror i futbollit, të veshësh një flamur, duket të jetë një nga pasionet më të forta të modës së kësaj vere.

Stilistët në mbarë botën propozojnë koleksione të vërteta mbarëbotërore, ku flamujt e skuadrave të preferuara mund t’i kesh në këpucë, çanta, syze, bizhuteri, veshje intime dhe rroba banje, pa lënë mënjanë të përhershmet bluze kombëtaresh për tifozët e çdo shteti në botërorin e futbollit në Afrikën e Jugut.

Për ata me shije të rafinuar dhe sigurisht me portofolin plot, ka menduar Louis Vuitton, i cili ka stiluar një linjë çantash udhëtimi frymëzuar nga sporti më i dashur i njerëzimit, futbolli, që edhe në qepje me formë gjashtëkëndore e në ngjyrë, bardhë e zi, i kujtojnë çdokujt topin e futbollit.

Një linjë që i përshtatet mrekullisht fushatës që LV e ka reklamuar në mbarë botën për botërorin e futbollit Afrikë e Jugut 2010, është edhe ajo e mbledhjes së bashku rreth një topi të miteve të futbollit botëror, Pele, Maradona dhe Zidane, ku magjistari i triblimit brazilian dhe i madhi Zidan luajnë futboll, ndërsa “Pibe de Oro” është arbitër.

Tre gjigandët e futbollit luajnë në një dhomë të vogël në Madrid, në kafenenë Maravillas. Vuitton ka lançuar edhe tekën e radhës që mirëmban Kupën e Botës.

Kush kërkon të veshë të brendshme me ngjyrat e skuadrës së preferuar, mund t'i gjejë në koleksionin Emporio Armani, që ofron joshje edhe përmes flamurit kombëtar.

Polo ekspozon për tifozët e zjarrtë të gjitha ngjyrat më të rëndësishme të kombëtareve në botëror, ngjyrat e Argjentinës, Spanjës, Brazilit, Italisë, Gjermanisë, Hollandës, Francës, Anglisë, me logon e pagabueshme, Ralph Lauren, bashkë me shenjat dhe numrat simbolikë të secilit lojtar.

Syze nën një erë futuriste, në të bardhën e armëve, të kuqe dhe të gjelbër, ngjyrat italiane pra, i zbulon teka e fundit e Dolce & Gabbanës, por ngjyra të tjera sjellin Nike dhe Puma.

Një tifoz i çmendur nuk mund të kuptohet pa atlete, dhe Superga e ka bërë zgjedhjen e saj, ka veshur këmbët me flamuj.

Dhe duke qenë se jemi në stinën e nxehtë, asnjë femër nuk mund ta mendojë detin pa një palë bikini seksi, tringjyrëshe, që i garantojnë suksesin.

mit/NOA

KOMENTE