English

Shqipëria, një pikë turistike tërheqëse në Mesdhe (VIDEO)

Durrës, 6 Qershor 2010 - Për më shumë se gjysmë shekulli, plazhet e Shqipërisë ishin të ndaluara për të huajt. Por sot, ky vend ballkanik përpiqet të sjellë sa më shumë vizitorë të huaj dhe t’u tregojë atë që s’kanë pasur rastin të shohin më parë.

Me 354 kilometra plazhe Shqipëria po hap dyert e turizmit për një prej viseve më të panjohura të Europës.

“Na ka munguar një koncept turizmi për 50 vjet. Ishim vend i izoluar në krahasim me vendet tjera të rajonit”, thotë Klodian Pajuni, kreu i turizmit në Ministrinë për Turizmin, Kulturën, Rininë dhe Sportet.

“Ne dolëm nga kjo periudhë 50-vjeçare ndryshe nga vendet që kanë pasur përvojë në turizëm edhe pse ishin pjesë e bllokut lindor. Fillimisht, pas viteve ’90, kishim jo vetëm problemin e ndërtimeve pa leje, por edhe problemin e pronësisë dhe kjo bëri që turizmi të zhytej në kaos prandaj do t’i duhet kohë të marrë veten. Por jam i bindur se me strategjinë dhe punën tonë jemi në rrugën e duhur”.

Shqipëria përjetoi njërin prej regjimeve komuniste më të ashpra në Europë i cili u përmbys më 1990, pas dekadash izolimi ndërkombëtar me kufizime të rënda për udhëtimet dhe kontroll të pamëshirshëm nga ana e shtetit.

Sot, vendi ka tregues të mirë makroekonomikë me rritje ekonomike prej mesatarisht 6 për qind dhe me inflacion 2-4 për qind. Çmimet e ulëta të pronave kanë tërhequr investitorë nga Izraeli, vendet arabe dhe vendet tjera në Ballkan.

Autostrada që i bie tërthor Shqipërisë dhe lidh veriun me jugun është duke u ndërtuar. {youtube}DlzzASKgo2Q{/youtube}

Një tjetër autostradë që lidh vendin me Kosovën i ka sjellë pushuesit e Kosovës nga Mali i Zi në plazhet e Shqipërisë.

“Qytete si Durrësi, Vlora, Saranda janë vende ku duhet të punohet për të ardhmen e turizmit. Të ardhurat kryesore i kanë nga turizmi. Për këtë arsye ata i kanë sytë nga e ardhmja dhe e kuptojnë se ia vlen të investohet në turizëm me çdo kusht”, thotë Pajuni.

Megjithatë, vendi akoma varet nga afro një milion qytetarë që u larguan nga Shqipëria pas rënies së komunizmit. Ata dërgojnë rreth 1 miliard euro në vit për të ndihmuar familjet e tyre.

Zyrtarët thonë se Shqipëria ka shënuar rritje në numrin e turistëve me afro tre milionë më 2009, 34 për qind më shumë se më 2008. Më shumë se një e treta janë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër turistë nga vende të tjera.

“Kemi shënuar rritje të numrit të turistëve, por kjo ka të bëjë me faktin se turistët janë kureshtarë të njohin Shqipërinë si vend i ri, si sekreti i fundit i Europës, siç e kemi thënë në logon tonë të mëparshme”, thotë Franka Paloka, e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, që promovon turizmin në Shqipëri".

“Na duhet ta ruajmë këtë numër turistësh që vijnë në Shqipëri dhe të punojmë për rritjen e numrit, por nuk është edhe aq e rëndësishme rritja e numrit. Më e rëndësishmja është që sektori ynë i turizmit të zhvillojë dhe krijojë një produkt të mirë turistik”. /voa/

KOMENTE