Sport- Botërori "Afrikë E Jugut 2010", Mund Të Vësh Bast Për Gjithçka
TIRANË, 6 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Shpërthejnë bastet në prag botërorin e "Afrika e Jugut 2010", edhe ato më të çuditshmet. Aspektet më kurioze dhe të rralla që bastexhinjtë, mbi të gjithë britanikët, kanë përfshirë në skedinën e tyre për "Afrikën e Jugut 2010", janë të panumërta.
Për shembull, në cilën portë do të shënohet goli i parë i një ndeshjeje: lejohet të vihet para hedhjes së monedhës, në mënyrë që të mos kushtëzohet nga drejtimi i sulmit të dy skuadrave në fushë.
Po kështu, mund të zgjedhësh goditjen e shtyllës së parë: të majtën ose të djathtën, traversën etj. Askush tjetër veç anglezëve nuk e ka kuotuar numrin e bluzave të grisura, të barelave në fushë, ose të peshës së Maradonës në fund të turneut (do të shëndoshet apo do të dobësohet në krahasim me fillimin) - këtu nuk është e qartë se cila do të jetë procedura.
Një finale botërori mes Spanjës dhe Anglisë, e fituar nga ekipi i Kapelos, është ajo që çdo tifoz anglez do të ëndërronte. Jo rastësisht këtu janë drejtuar pjesa më e madhe e basteve të vëna në Britani dhe më gjerë.
Sipas analistëve britanikë, në kompleks tre operatorët e parë kombëtarë (Pady Pauer, Ladbrokes e Uilliam Hill) mund të përfitojnë në fund të turneut një shifër jo më të vogël se një miliardë stërlina.
Por problemi është se sa do t'u mbesë në xhep, pasi të kenë paguar fituesit: "Nëse fiton Anglia, rrezikojmë gjakderdhje", ka thënë një zëdhënës i shoqërisë së basteve.
Fitorja e Anglisë kuotohet për momentin 6 me 1, pra më superiore se ajo e Argjentinës, Brazilit e Spanjës dhe kuota arrin 7 në rast të triumfit në finale ndaj Spanjës në kohën e rregullt.
Bastexhinjtë anglezë si gjithmonë janë tradicionalistë. Nëse Anglia e Kapelos fiton ndaj Spanjës mund të verifikohet një rast ku fitimet e bastexhinjve i tejkalojnë të ardhurat e kompanive, të paktën ato të mbledhura për fituesin e Botërorit.
Për sa i përket dëmtimit të parë të rëndë dhe kartonit të parë të kuq të turneut, në të dyja rastet shumica e bastexhinjve ka zgjedhur Korenë e Veriut (ndoshta konsiderohet skuadra më e ashpër) që kuotohet 100. Nuk mungojnë as bastet në lidhje me telekronistët, komentet dhe britmat e tyre: për shembull në Argjentinë-Brazil, britma "Gooool" zgjat 15 sekonda./s.s./